Dëshmitari Shefqet Kabashi- ZPS-së: Nuk mund të bashkëpunoj me ju, dëmtoni shumë njerëz

Shefqet Kabashi, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, iu drejtua Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke iu thënë se nuk mund të bashkëpunojë me prokurorët, më arsyen se dëmtojnë shumë njerëz.

Kjo deklaratë e Kabashit, erdhi pasi prokurori pyeti atë se a ishin të vërteta deklaratat që kishte dhënë në gjykimin ndaj Fatmir Limajt.

“Ju e dini se unë vetë nuk kam vendosur, nuk ka qenë gatishmëri dhe vendimi për të ardhur këtu. Megjithatë, jeni përpjekur që t’i gjeni të gjitha mënyrat e mundshme, në mënyrë të tillë të më sjellni këtu dhe për këtë arsye nuk mund të bashkëpunoj me ju, sinqerisht me prokurorët sepse ju dëmtoni shumë njerëz, keni dëmtuar kaq shumë njerëz, përfshirë dëshmitarët dhe gjithë vendin tim”, tha Kabashi.

Dëshmitari tha se deklaratat e tij të dhëna në gjykimet e mëhershme, janë keqkuptuar.

Pas kësaj, deklaratat e mëhershme të dëshmitarit, duke përfshirë edhe materialet përcjellëse u pranuan si prova materiale. Disa prej tyre publike, e disa konfidenciale.

Fillon dëshminë dëshmitari Shefqet Kabashi, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 36-të, Shefqet Kabashi me kodin W04448, në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Pyetjet për këtë dëshmitar ka filluar që t’i parashtrojë Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe do të zgjasë rreth një orë e gjysmë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari ka zgjedhur që të dëshmojë në gjuhë angleze, me arsyetimin se deklaratat e mëhershme janë keqkuptuar.

“Nga deklaratat e mëhershme që kam dhënë, kanë qenë të keqkuptuara për shkak të dialektit”, tha Kabashi.

Dëshmitari po dëshmon në këtë seancë përmes video-lidhjes, e po ashtu Krasniqi po e ndjek seancën përmes video-linkut, kurse të akuzuarit tjerë janë të pranishëm në seanë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë dy ditë.

Dëshmitari Kabashi ka dhënë dëshmi edhe në gjykimin ndaj Fatmir Limajt në vitin 2005, si dhe në gjykimin ndaj Ramush Haradinajt.

Back to top button