Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike me të vetëm pikë të rendit ditës për shqyrtimin e Raportit vjetor të auditimit për vitin 2019 sot dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së ministres së Financave, Hykmete Bajramit. Ndërsa, i pranishëm ishte auditori Përgjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani.

Kryetari i këtij Komisioni, Bedri Hamza tha se në momentin e fundit, Ministria e Financave ka anuluar pjesëmarrjen në Komision. Hamza tha se ministrja Hykmete Bajrami është përgjegjës për adresimin e këtyre të gjeturave në raport, prandaj, duhet t’i përgjigjen ftesës.

Ai tha se arsyetimi me shkrim i Ministrisë së Financave në momentin e fundit, në orën 11:00 ishte se për shkak të një situate urgjente, ministrja Hykmete Bajrami nuk mund të jetë sot në mbledhje të Komisionit, edhe pse ajo ka shprehur gatishmërinë të jetë pjesëmarrëse në një prej mbledhjeve të ardhshme.

Komisioni vendosi që të enjten në orën 11:00 të mbahet mbledhja dhe të jetë e pranishme edhe ministrja e Financave.

Edhe deputetja Besa Gaxherri nga LDK kërkoi që për raportin e auditimit duhet të jetë e pranishme edhe ministrja e Financave.