Detaje për grabitjen e armatosur në një institucion financiar në Lipjan
3 Dhjetor 2020
Pas marrjes së informatës për një vjedhje të rëndë të ndodhur në një institucion financiar në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan rreth orës 02:30, njësitet policore të Lipjanit kanë organizuar një operacion të shpejtë i cili ka rezultuar me arrestimin në ikje e sipër të një të dyshuari që dyshohet të jetë përfshirë në rastin në fjalë.
“Veprimet e shpejta i kanë mundësuar policisë të identifikoj veturën e shfrytëzuar nga të dyshuarit si dhe drejtimin e ikjes. Ndjekja policore ka vazhduar deri në momentin kur në fshatin Qylagë të Lipjanit, të dyshuarit kanë humbur kontrollin mbi veturën e tyre dhe kanë dalë nga rruga”, ka njoftuar Policia.
Me këtë rast policia ka arrestuar të dyshuarin; • H. G, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe, pas një kontrolli që i ka bërë automjetit ka gjetur dhe sekuestruar;
Një revole të tipit Zoraki, si dhe,
Pesë fishek.
Ndërkohë që policia ka kontrolluar edhe perimetrin përreth, pak më tutje është gjetur edhe kasaforta (kasa) e zbrazët.
Ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e arrestit policor dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar rasti vjedhje e rëndë si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar i armës.
Aktualisht policia ka zgjeruar horizontin e hetimeve për të identifikuar edhe të dyshuarit e tjerë të mundshëm të cilët në çfarëdo forme mund të jenë implikuar në këtë rast./21Media