Një studim mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i prezantuar në Parlamentin Evropian (PE) thotë se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

Tutje në studim thuhet se në fillim të vitit 2020, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, për të forcuar fushatën e tij të rizgjedhjes, i ktheu vështrimet e tij në negociatat a zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë. Detyra e negociatave iu dha ambasadorit, Richard Grenell, një ish Drejtor i Përgjithshëm i Inteligjencës Kombëtare i cili u emërua i Dërguari Special për Serbinë dhe Negociatat e Paqes në Kosovë.

“Të irrituar nga ajo që ai e pa si pengesë nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Ambasadori Grenell me sa duket angazhoi senatorin David Perdue dhe djalin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump Jr, për të bërë një deklaratë në Twitter duke sugjeruar që SHBA të tërheqë trupat e saj nga Kosovë. Ambasadori Grenell atëherë vazhdoi ta mbante këtë kërcënim, i cili nuk ishte bërë nga asnjë zyrtar amerikan, në negociatat me partnerët e koalicionit të Kurtit, duke bërë që të ngrihej një mocion mosbesimi që rrëzoi Qeverinë Kurti”, thuhet në studimin e publikuar, i cili u bë nga disa autorë evropianë, të porositur për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të PE (AFET).

Ky studim tregon për trendet dhe modelet kryesore të dezinformatave dhe luftën kundër dezinformatave në gjithë rajonin në periudhën nga viti 2018 deri më 2020.

Më 25 mars, Kuvendi i Kosovës me 82 vota rrëzoi Qeverinë Kurti pas mocionit të ngritur nga partnerja e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja argumentoi se deri te mocioni erdhi për shkak të pozicionimit “jokonstruktiv” të Kurtit karshi partnerëve, në veçanti SHBA-së./21Media