Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar ashpër pas disa incidenteve që kanë ndodhur në javët e fundit në disa prej stadiumeve të futbollit në Kosovë ku kanë mbetur të lënduar disa lojtarë, gjyqtarë e tifozë.

FFK në reagimin e saj ka bërë thirrje që në këtë drejtim të ndihmojnë edhe organet e rendit ndërsa ka bërë të ditur se veprime të tilla nga njerëz të papërgjegjshëm nuk do të tolerohen.

“FFK nuk do të lejojë që disa individë të papërgjegjshëm ta dëmtojnë mbarëvajtjen e garave dhe ta prishin imazhin e mirë të futbollit tonë, të cilin e kemi krijuar me shumë mund e djersë. Njëherësh, kërkojmë edhe nga zyrtarët tanë që punën e tyre ta kryejnë me profesionalizëm e përgjegjësi për çka edhe janë të thirrur, teksa nga klubet kërkojmë organizim të mirëfilltë dhe të mos lejojnë që në stadiume të ketë njerëz të tillë të pandërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e FFK-së.