Oda e Farmacistëve të Kosovës sot shprehu indinjatën me rastin e djeshëm të sulmit dhe djegies së depos “One Group”.

Oda ka theksuar se sulmet e tilla i prekin të gjithë, sepse, siç është theksuar, tashmë janë bërë si dukuri.

“Rasti ka ndodhur dje në mëngjes gjatë orës policore dhe kjo nuk është hera e parë që po ndodh që të bëhet sulm qoftë me djegie apo vjedhje në sektorin farmaceutik e të cilat fatkeqësisht po mbesin të pazbuluara. E gjitha kjo si edhe disa raste më herët për të cilat ka reaguar OFK, po ndodh në kohën e pandemisë COVID 19 kur puna e barnatoreve dhe e farmacistëve si vijë e parë e frontit në përballje me COVID 19 është e pandërprerë në ndihmë qytetarëve të Kosovës. Sot ka ndodhur në depon “One Group” aksioner të së cilës janë të gjithë kolegë farmacistë dhe nesër mund të ndodhë te secili prej nesh.”, është bërë e ditur në reagimin e OFK-së.

Oda e Farmacistëve ka ftuar organet kompetente të sigurisë dhe drejtësisë, të reflektojnë me vigjilencë dhe efikasistet ndaj rasteve të tilla.

Sipas OFK-së, rastet e tilla vetëm sa po shtohen dita ditës, duke rënduar edhe më tej pozitën e farmacistëve si një ndër hallkat e rëndësishme të sistemit shëndetësor që ushtrojnë profesionin me etikë të lartë dhe profesionalizëm, veçanërshit gjatë kësaj periudhe të përballjes me pandeminë COVID-19.