Një 66 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë pas zjarrit që kaploi shtëpinë e tij.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 07:15, në fshatin Komogllavë të Ferizajt.

“Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë ndalur në vendin e ngjarjes duke intervenuar dhe lokalizuar zjarrin, ku nga një dhomë e cila nuk ishte kapluar nga zjarri kishin nxjerrë një person mashkull, 66 vjeçar, i cili ka jetuar i vetëm në shtëpi. Nga mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes, pas kontrollimit mjekësor të viktimës, është konstatuar se i njëjti kishte nderuar jetë si pasojë e asfiksisë”, ka njoftuar policia.

Sipas hetimeve të para, dyshohet se deri te zjarri ka ardhur nga cigaret e pa fikura të hedhura nëpër dysheme.

“Nga dëshmitarët dhe fqinjët jemi informuar se viktima kishte jetuar i vetëm dhe kishte pasur edhe probleme shëndetësore ku edhe para dy muajve kishte ndodhur rast i njëjtë i zjarrit, por falë fqinjëve të cilët kishin intervenuar me kohë duke e fikur zjarrin dhe shpëtuar viktimën”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet IML Prishtinë për autopsi./21Media