Digjet Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok, dyshohet për mjet shpërthyes në Zveçan

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla sot ka bërë të ditur se në orën 01:00 pas mesnat është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok.
Sveçla përmes një postimi në ”Facebook” ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes.
”Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdoj me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ftojmë qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”, ka shkruar Sveçla në ”Facebook”./21Media

Back to top button