Digjet vetura e komandantit të policisë kufitare

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm është përfshirë nga zjarri vetura e komandantit të policisë kufitare në veri

Automjeti tip ‘Benz E-class’, pronë e komandantit të policisë kufitare G-31 në Bërnjak, afër Leposaviqit në orët e hershme të mëngjesit të sotëm është përfshirë  nga flakët e fuqishme të zjarrit, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz, bëjnë të ditur burime të KP-së.

Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit të sotëm derisa automjeti ishte i parkuar para banesës së togerit të policisë, që ndodhet afër Qendrës së studentëve në veri të Mitrovicës. Siç bëhet e ditur, burimet më tutje kanë shtuar se dyshohet që zjarri ndaj automjetit të komandantit të policisë ka qenë i qëllimshëm.

Njësitë e zjarrfikësve kanë reaguar menjëherë duke shuar zjarrin, ndërsa edhe pjesëtarë të policisë kanë dalë në vendngjarje dhe po zhvillojnë hetimet me synim të identifikimit dhe kapjes së autorit.

Back to top button