Poezi nga Ismail Kadare

Poezi nga Ismail Kadare

Dhe vjeshta shkoi, fletët e saj
i vërtit era, i përpjek.
Dimri si perandor kinez
ngjyrën e verdhë kudo e ndjek.

Dhe këto re që tani vijnë
ndryshe nga retë e gjertanishme,
të shkreta janë, pa vetëtima,
porsi djerrina të mërzitshme.

Porse nën to qyteti zien
me drita, zhurma dhe trafik.
Dhe flokët e tymta të uzinave
mbi supe i bien madhërisht.

Ja horizonti i bardhë i dimrit,
përballë peizazhit që lëviz,
harxhon të fundit vetëtimë
si reporteri të fundit blic. /21Media