Disa lagje të Prishtinës deri në 12 orë pa energji elektrike

 

Reduktime të mëdha të energjisë ka pasur dje dhe sot në disa lagje të Prishtinës. E disa pronarë të bizneseve po ankohen për këtë, pasi që siç thonë ata, energjia elektrike po ndalet në ora 09:00 dhe deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Ata ankohen se shkaku i mungesës së energjisë po iu shkaktohet dëme të madha në biznes.

Kjo ndërprerje e energjisë i ka krijuar vështirësi të mëdha Fluturim Gashit, pronar i një biznesi në Prishtinë. Ai ka thënë për KP, se gjatë këtyre dy ditëve nuk kanë mundur të punojnë shkaku i ndaljes së energjisë elektrike.

“Sa i përket ndaljes së energjisë elektrike, bizneset tona nuk munden të funksionojnë hiç së pari për arsye se ne jemi edhe zejtarë, edhe jemi të varur nga energjia elektrike. Gjatë këtyre dy ditëve nuk kemi punuar fare dhe kemi qenë të dëmtuar tërësisht”, ka thënë Gashi.

Ndërsa një pronar tjetër, Defrim Duraku ka thënë se dëmi për biznesin e tij është i madh, pasi që çdogjë që bëhet në këtë biznes, bëhet me rrymë.

“Problemet kryesore të rrymës janë, puna prej fillimi në mëngjes kur t’ia nis njeri për me punuar. 9 orë kemi qenë pa rrymë dhe problem kryesor ka qenë se çdo prodhim, çdo punë që bëhet, bëhet me rrymë… dëme sa të duash, dëme të pa llogaritura”, ka thënë Duraku.

Një biznes tjetër, pronar i të cilit është Jetullah Xhinofci, ka thënë se ky problem është qe dy ditë në këtë vend dhe nuk e dinë se kur vjen energjia.

“Dje nuk ka pas prej orës 9 deri në ora 21 e mbrëmjes, dhe sot e kanë ndal njëjtë prej orës 9 dhe nuk e dimë kur vjen…. Pa rrymë ne nuk mundemi me punuar asgjë, por besoj që e lëshojnë, e ndreqin rrymën”, ka thënë Xhinofci.

E zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, përmes telefonit ka thënë se kjo ndërprerje e energjisë elektrike është bërë si pasojë e punimeve që janë duke u bërë në këtë lagje të ndryshme në kryeqytet.

Back to top button