Çfarë mund të jetë më mirë se maskat e fytyrës që mund t’i realizoni në kushte shtëpie? Përbërësit që ju ndodhen në kuzhinë do t’ju vijnë në ndihmë.

Zgjidhni maskën që ju përshtatet.

Maskë me kivi dhe avokado

Përbërësit:

– 1 kivi

– 1 avokado

– 1 lugë gjelle mjaltë

Qëroni kivin dhe avokadon, grijini dhe përziejini bashkë me mjaltin. Masën në formë paste vendoseni në fytyrë dhe lëreni për 30 minuta. Më pas shpëlajeni me ujë të bollshëm dhe mos harroni të vendosni kremin tuaj hidratues. Këshillohet të përdoret një herë në javë dhe është e përshtatshme për të gjitha llojet lëkurave.

Maskë me banane

Përbërësit:

– ½ banane

– ½ lugë gjelle mjaltë

– 1 lugë lëng limoni

Shtypni bananen dhe shtojini mjaltin dhe lëngun e limonit. Përziejini mirë dhe aplikojini në lëkurë të pastër. Lëreni maskën të veprojë për 20 minuta dhe shpëlajeni me ujë të bollshëm. Kjo maskë është e përshtatshme për çdolloj lëkure, por sidomos për ato të yndyrshme dhe ato që kanë tendencë aknesh.

Maskë me limon dhe të bardhë veze

Përbërësit:

-1 e bardhë veze

-Disa pika limoni

Ndani të bardhën e vezës nga e verdha dhe (të bardhën) rriheni mirë. Shtojini disa pika limoni dhe përziejeni mirë masën. Lëreni 10-15 minuta dhe shpëlajeni me ujë të vakët. Shmangni zonën e syve dhe të buzëve.

Maskë me limon dhe mjaltë

Përbërësit:

-1 lugë çaji mjaltë

-Disa pika limoni

Merrni një lugë çaji mjaltë dhe shtojini disa pika limoni. Maskën mund ta mbani në fytyrë 20-25 minuta dhe më pas shpëlajeni me ujë të vakët. Mos harroni që pasi keni larë fytyrën duhet të vendosni gjithmonë hidratues.