Disa shtete të Bashkimit Evropian kanë ndërprerë fluturimet që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar dhe të tjera shtete po e shqyrtojnë një mundësi të tillë, nga frika se një variant i ri i koronavirusit, i shfaqur në Angli, mund të përhapet edhe në pjesë të tjera të kontinentit evropian.

Gjermani, Holanda, Belgjika, Austria dhe Italia kanë njoftuar për kufizime në udhëtimet me Mbretëriën e Bashkuar, raporton AP.

Një zëdhënës i Qeverisë gjermane tha se shteti është duke punuar për të vendosur kufizime në udhëtimet ndërmjet Gjermanisë dhe Britanisë, në mënyrë që shteti të mbrohet nga varianti i ri i koronavirusit. Qeveria gjermane, sipas këtij zëdhënësi, është në kontakt edhe me partnerët e tjerë evropianë, në mënyrë që edhe ata të ndërmarrin veprime të ngjashme.

Holanda ka ndaluar fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar, për të paktën deri në fund të këtij viti, ndërkaq, Belgjika ka urdhëruar një ndalesë 24 orëshe që nis mesnatën e së dielës, për fluturimet nga Britania. Austria dhe Italia thanë se po ashtu do të ndalojnë fluturimet që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, por nuk njoftuan se kur do të hyjë në fuqi kjo ndalesë.

Republika Çeke ka thënë se do të vendosë masa më të ashpra të karantinimit për qytetarët që arrijnë nga brtiania.

Britania e Madhe të shtunën, më 19 dhjetor, vendosi masa më të ashpra kundër koronavirusit, në prag të Festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Kryeministri britanik, Boris Johson tha se varianti i ri i virusit është 70 për qind më i transmetueshëm sesa virusi aktual dhe se masat e ndërmarra kanë për qëllim që të parandalojnë përhapjen e mëtejme të tij. Ky lloj i ri i virusit është përhapur në Londër dhe në pjesën jugore të Anglisë.

Johnson megjithatë shtoi se “nuk ka të dhëna që sugjerojnë se varianti i ri është më i rrezikshëm apo shkakton sëmundje më të rëndë”, apo edhe se vaksinat e prodhuara kundër koronavirusit do të jenë më pak efektive ndaj këtij varianti të ri të virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), tha se është në kontakt me zyrtarët në Mbretëri të Bashkuar “lidhur me variantin e ri të virusit” dhe premtoi se do të njoftojë me kohë qeveritë dhe publikun sapo të ketë informata më të hollësishme.

Lloji i ri i virusit u identifikua në juglindje të Anglisë në muajin shtator dhe që atëherë ka qarkulluar në atë zonë, ka thënë për BBC-në një zyrtare e lartë e OBSH-së.

“Ajo që e kuptojmë është se ky lloj i ri ka transmetim më të lartë, në kuptimin e aftësisë që të përhapet”, tha Maria Van Kerhove, udhëheqëse teknike e OBSH-së lidhur me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Sipas OBSH-së, janë duke u kryer studimet për të kuptuar se sa shpejt përhapet ky variant i ri i virusit dhe si sillet ai. Van Kerhove tha se ky lloj i ri i virusit është identifikuar edhe në Danimarkë, Holandë dhe Australi./Rel