Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njofton se disa zyrtarë të kësaj ministrie janë të prekur me Covid-19, por që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe në vetizolim.

MKRS-ja njofton se janë duke punuar me staf të reduktuar, gjegjësisht staf esencial në respektim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Njoftohen qytetarët se janë dezinfektuar hapësirat e MKRS-së, ndërsa kërkohet nga ta t’i respektojnë rekomandimet e dhëna nga institucionet shëndetësore.

“Duam të njoftojmë qytetarët se objekti i MKRS-së dhe të institucioneve vartëse të ministrisë në Prishtinë dhe në qendrat tjera të Kosovës, të gjitha po i respektojnë masat mbrojtëse duke i dezinfektuar hapësirat dhe duke vënë në çdo hyrje dezinfektues për palët e jashtme.

Të gjitha palët e jashtme të cilat kanë raporte, punë apo obligime me MKRS-në inkurajohen që ato t’i kryejnë në distancë (online) nëse është e mundshme ose nëse është patjetër që të vijnë fizikisht, obligohen që të kenë masat e parapara mbrojtëse (maskat, distancën), në të kundërtën nuk do të lejohen të hyjnë në objektet e ministrisë dhe nuk do të marrin shërbim.”, thuhet mes tjerash në njoftim./21Media