Në prag të takimit mes dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi priti ambasadorin shqiptar, Qemal Minxhozi.

Në këtë takim u diskutua për marrëveshjet që do të nënshkruhen të shtunën, por edhe bashkëpunimet që mund të ndodhin në vijim.

Gjithashtu, u njoftua që të hënën në Kosovë do të vijë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili do të pritet nga ministri Kuçi.

Ministri dhe ambasadori diskutuan edhe për bashkëpunim në fushën e energjisë.

Mundësia e turizmit komplementar në aspektin sezonal mes Kosovës dhe Shqipërisë, ishte ajo që ambasadori Minxhozi e kërkoi që të fuqizohet duke ngritur kapacitete të reja për të pritur turistë nga Shqipëria gjatë sezonit të dimrit.

Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës do të mbahet në Tiranë në “Pallatin e Kongreseve” më 2 tetor në orën 11:00.

Kjo do të jetë mbledhja e gjashtë e përbashkët e dy qeverive. Mbledhja e parë e përbashkët u mbajt më 11 janar të vitit 2014 në Prizren dhe drejtohej nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Edi Rama. /21Media