Ministri Bislimi nuk qëndroi në Komision

Ministri Bislimi nuk qëndroi në Komision

Në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, ministri Financave dhe i Transfereve, Besnik Bislimi gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2020 dhe arsyetimit të ndarjeve buxhetore për vitin 2020 tha se të hyrat buxhetore për vitin 2020 janë paraparë të jenë 2 miliardë e 20 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të jenë mbi 2.357 miliardë euro.

Ndërsa, theksoi se me këtë buxhet nuk ka ndërhyrje të theksuara në programin buxhetor, përveç në RTK dhe në Ministri të Bujqësisë.

Për më tepër, ministri i Financave dhe Transfereve tha se lëvizjet buxhetore për komunat nuk kanë ndryshuar nga e kaluara. Megjithatë, nga anëtarë të Komisionit pati kritika se buxheti për 2020 nuk është zhvillimor dhe nuk dallon nga buxhetet e viteve të kaluara, për më tepër nuk mori edhe mbështetjen e opozitës për procedim të mëtutjeshëm.

Anëtari nga radhët e LDK-së, Shkëlzen Hajdini tha se gjatë gjithë kohës thuhet se do të bëhet buxheti për zhvillim ekonomik, për arsim, shëndetësi dhe të tjera, por sipas tij, edhe ky buxhet pak dallon nga ligjet paraprake buxhetore.

Ndërsa, që në fillim, anëtari nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza nuk u pajtua që Komisioni po shkel Rregulloren e Punës së Kuvendit për shqyrtimin e projektbuxhetit katër ditë më shpejt, edhe pse ky Komision në mbledhjen e fundit kishte votuar pro shqyrtimit të buxhetit me procedurë më të shpejtë.

Ish-ministri i Financave Hamza pati mjaft kritika për këtë projektligj, si për rritje ekonomike, për shpenzimet dhe mungesën, siç tha ai, të parave për zbatimin e Ligjit të pagave. Hamza tha se çdo ndryshim pozitiv buxhetor e mbështet, por sipas tij, ka një diskrepancë mes premtimeve elektorale, programit qeverisës dhe buxhetit 2020.

Pas fjalimit, deputeti Hamza u largua nga komisioni, me arsyetimin se nuk ka më çfarë të diskutojë, ndërsa të njëjtin veprim e bëri edhe nënkryetari i këtij komisioni nga radhët e AAK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili nuk diskutoi fare për buxhetin, e që pastaj pamundësoi edhe votimin e projektbuxhetit në mungesë të kuorumit.

Deputeti Demaliaj theksoi se nuk janë të gatshëm të diskutojnë për buxhetin me kaq nguti nga ana e pozitës dhe mbështeti deputetin Hamza për qëndrimin e tij. Projektligji nuk u fut në votim, për arsye se nuk pati kuorum, por kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati theksi se votimi do të bëhet në një mbledhje tjetër.

Ndërsa, deputetja e Alternativës por pjesë e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila pyeti ministrin e Financave dhe Transfereve se a janë paraparë mjete financiare për kompaninë “Bechetel-Enka” dhe “Kosovën e re”, ose ndonjë arbitrazh të mundshëm me buxhetin 2020.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi nuk qëndroi në Komision gjatë gjithë kohës, me arsyetimin se do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të posaçëm për parandalimin e koronavirusit, ku në këtë rast u zëvendësua nga Agim Krasniqi, zëvendësministër i këtij dikasteri.