52 persona të infektuar me HIV në Kosovë

(Lajm i përditësuar)
Aktualisht në Kosovë janë 52 persona të infektuar me HIV të cilët po trajtohen. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në ditën boterore të luftës kundër HIV/AIDS.
Sipas të dhënëave të Ministrisë që nga viti 1986 deri me 1 dhjetor te vitit 2022, në Kosovë janë raportuar 157 raste me HIV dhe AIDS.
“Kosova është ndër vendet me prevalencën më të ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe prevalencë të ulët në mesin e popullatës kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personave që injektojnë drogë (PID) dhe punonjëset femra të seksit (PFS)”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Sa i përket shpërndarjes së rasteve sipas gjinisë, numri më i madh i takon gjinisë mashkullore (76%). Grup mosha më e atakuar është 25-34 vjeç (31%) dhe 35-44 vjeç me 27%. Deri më tani 51 persona kanë vdekur si pasojë e AIDS-it. Në vitin 2022, janë raportuar 15 raste me HIV infeksion dhe dy raste me AIDS, prej tyre 6 janë nga komuniteti MSM.
Rruga seksuale e transmetimit të HIV virusit vazhdon të dominoj në vendin tonë në 97% të rasteve me nën rrugët heteroseksuale 52% dhe homoseksuale 25%.
Ministria e Shëndetësisë siguron falas diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve me HIV.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në bashkëpunim me QRSHP, nivelin Parësor Shëndetësor dhe në bashkëpunim me OJQ vendore dhe ndërkombëtare do të zhvilloj aktivitete me rastin e shënimit të Ditës Botërore të AIDS-it.
Janë planifikuara këto aktivitete:
Aktivitete në shkolla:
• Mbajtja e ligjëratave për HIV/AIDS
• Trajnime me nxënës të shkollave të mesme për IST dhe HIV/AIDS në bashkëpunim me KOPF dhe UNFPA
• Shpërndarja e materialeve edukative shëndetësore
Aktivitete në komunitet:
• Shpërndarja e materialeve edukative shëndetësore dhe kondomëve në QRSHP dhe në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
• Shpërndarja e materialeve edukative shëndetësore qytetarëve të rastit
08:06- Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS
Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.
Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV/AIDS-it në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë.
E themeluar në vitin 1988, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it ishte dita e parë shëndetësore globale.
Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it u propozua fillimisht në muajin gusht të vitit 1987 nga Thomas Netter dhe James W. Bunn, të dy zyrtarë të informimit publik për Programin Global të HIV/AIDS-it në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë. Ata kishin ndarë idenë e tyre për ditën e HIV/AIDS-it me Dr. Jonathan Mann (Drejtor i Programit Global të HIV/AIDSit), i cili e kishte miratuar idenë dhe rekomandoi respektimin e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it më 1 dhjetor të vitit 1988.
Kombet e Bashkuara kanë ngritur një Program të Përbashkët për HIV/AIDS-in, i njohur si UNAIDS. Programi filloi veprimtarinë në vitin 1996 duke promovuar në mbarë botën aktivitete të lidhura me HIV/AIDS-in.
Në vitet e para, temat e Ditës Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS-it ishin fokusuar vetëm te fëmijët dhe të rinjtë.
Nga viti 1998 e deri më sot, Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet nën slogane të ndryshme.
Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it simbolizohet nga fjongoja e kuqe, simboli global i solidaritetit me njerëzit HIV pozitiv dhe ata që jetojnë me AIDS.
Ideja për krijimin e një simboli global në luftën kundër HIV/AIDS-it lindi në fillim të vitit 1991
në Nju Jork. Ky është një simbol për solidaritet dhe tolerancë për njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS dhe që shpesh diskriminohen nga publiku.
Në Evropë simboli i fjongos së kuqe përkoi fillimisht me të Hënën e Pashkëve të vitit 1992, kur më shumë se 100.000 fjongo të kuqe u shpërndanë gjatë koncertit ndërgjegjësues të Fred Mërkurit (Freddie Mercury) në stadiumin Wembley të Londrës. Po këtë ditë u themelua Fjongoja e Kuqe Internacionale në Londër.
Fjongoja e kuqe bashkon njerëzit në luftën e përbashkët ndaj kësaj sëmundjeje.

Back to top button