Sot me 30 prill shënohet Dita Ndërkombëtare e muzikës Jazz, mirëpo, pandemia Covid-19 në Kosovë, e ka pamundësuar zhvillimin e aktiviteteve për nder të kësaj dite.

Vitin e kaluar është mbajtur ”Prishtina Jazz Festival”, në kuadër të të cilës kanë luajtur shumë arstistë të këtij zhanri e ndër ta është edhe xhaz kitaristi nga Kosova, Armend Xhaferi. I cili ka një numër të konsiderueshëm albumesh muzikore si udhëheqës dhe si ndihmës e pjesëmarrës në formacione të ndryshme. Ndër vite ka luajtur dhe vazhdon të luajë me emra të xhaz skenës evropiane dhe amerikane si: Ilir Bajri, Enes Seferovic, Bajram Istrefi jr., Karl Ratzer, Guido Jeszenszky, Johannes Enders, Nenad Vasilic, Laurie Antoniolli, John Hollenbeck, Jure Pukl, Adam Klemm, Robert Jukic, Daniel Nösig, Elina Duni, Wolfi Rainer, Christian Wegscheider dhe Ante Gelo.

UNESCO në nëntor të vitit 2011 e ka miratuar në Konferencën e Përgjithshme 30 prillin si Dita Ndërkombëtare të muzikës Jazz.

30 prilli ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për virtytet e xhazit si një mjet edukativ, dhe një forcë për ndjeshmëri, dialog dhe bashkëpunim të zgjeruar midis njerëzve. Shumë qeveri, organizata të shoqërisë civile, institucione arsimore dhe qytetar privat të angazhuar aktualisht në promovimin e muzikës Jazz do të përqafojnë mundësinë për të nxitur vlerësime më të mëdha jo vetëm për muzikën por edhe për kontributin që mund të japë në ndërtimin e shoqërive më përfshirëse.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale, e cila krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti.

Instrumentet më të përdorur të muzikës të këtij zhanri janë: saksi, tromba, tromboni, bateria, kontra basi, ksilofoni dhe instrumentet elektrike pas viteve 70-ta.

Jazzi si një stil muzikor u shfaq në fillim të shekullit 20, në komunitetin afro-amerikan në jug të SHBA-së. Ai u krijua nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe evropiane. Nga fillimet e tij e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elemente nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz e të tjerë./21Media