Sot me 23 prill shënohet Dita Komunitetit Turk në Kosovë.

Komuniteti turk në Kosovë është i përqendruar kryesisht në komunat e Prizrenit 6,9%, Mitrovicës 3% dhe Istogut 3,33%.

Në Kosovë ka pasur një numër të madh pjesëtarësh të komunitetit turk qysh prej pushtimit osman të saj, në shekullin e katërmbëdhjetë. Në përgjithësi, ky komunitet ka qenë i qëndrueshëm, i integruar në shoqërinë kosovare dhe aktiv në të gjitha aspektet e jetës kulturore, sociale dhe politike. Por, për shkak të mungesës së statistikave të besueshme, të dhënat demografike mbi turqit kosovarë kanë qenë objekt diskutimi dhe shtrembërimi, dhe duhet trajtuar me maturi. Numri i pjesëtarëve të komunitetit turk llogaritet të jetë rreth 1% të numrit të gjithëmbarshëm të popullsisë së Kosovës, gjë që përputhet me rreth 19.000 persona.

Turqit në Kosovë flasin një dialekt lokal të turqishtes, por zakonisht flasin edhe shqipen dhe serbishten.

Komunat me një numër më të madh pjesëtarësh të komunitetit turk ofrojnë pak arsimim publik në turqisht siç është Gjilani, Mitrovica dhe Prizreni. Megjithatë, në disa komuna, kjo ofrohet vetëm në nivelin fillor siç është Mitrovica, ndërsa në të tjerat është vënë re si problematike cilësia e dobët e arsimimit të mesëm siç është Prizreni.

Më në përgjithësi, problemet kryesore me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit sa i përket qasjes në arsim janë:

  • pamjaftueshmëria e teksteve shkollore cilësore,
  • mungesa e transportit adekuat, dhe
  • Infrastruktura e dobët arsimore.

Nga ana tjetër në Gjilan, ku turqishtja është gjuhë zyrtare, jo të gjitha dokumentet zyrtare publikohen në turqisht. Pjesëtarët e komunitetit gjithashtu janë përballur me vështirësi në komunikimin me institucionet publike, pasi që disa zyrtarë publikë nuk e njohin gjuhën turke.

Ndërkaq u.d i kryetarit të PDK-së ka kujtuar ditën e Komunitetit Turk përmes një postimi në facebook. Sipas tij ky komunitet është pasuri e diversitetit dhe trashëgimisë kulturore.

”Ata janë pjesë e të gjitha institucioneve tona dhe të pandashëm në aktivizimin e përbashkët shoqëror për një shtet zhvillimor e demokratik. Për dekada, ky komunitet ka qenë edhe lidhja jonë e rëndësishme me shtetin tonë mik, Turqinë. Urime miqve turq dhe të gjithë komunitetit të tyre kjo ditë”, ka shkruar tutje Hoxha./21Media