Smaka tha se Kushtetuta e Kosovës ka nevojë për ndryshim, duke përmendur mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit

Smaka tha se Kushtetuta e Kosovës ka nevojë për ndryshim, duke përmendur mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit

12 vjet më parë, me një dokument të rëndësishëm shtetëror iu dha fund statusit ligjor paraprak të Kosovës që ishte nën administrimin e UNMIK-ut. Hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës e cila në nenin e parë qartëson që Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Sot, në Ditën e Kushtetutës, njohës dhe hartues të saj thonë se ajo është shkelur shumë herë dhe se e njëjta ka nevojë për ndryshime meqë është e mangët.

Në vitin 2008 nisi një tjetër epokë për shtetin më të ri në Evropë. Në shkurt të atij viti Kosova e shpalli Pavarësinë dhe dy muaj më vonë në Kuvendin e Kosovës u ratifikua Kushtetuta, e cila pastaj hyri në fuqi në qershor të atij viti.

Por, në këto 12 vjet, u pa një rrugë e vështirë në implementimin e saj. Ajo nuk u respektua shumë herë nga instituc ionet shtetërore edhe nga ata që ishin në krye të tyre.

Profesori Riza Smaka, që ishte pjesë komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, në një intervistë për Kptha se mosrespektimi i saj nisi menjëherë nga vet njerëzit e ligjit.

“Kushtetuta nuk është përfillë deri në ditët e sotme në nivelin që është dashur dhe ka mundur të përfillet, se nuk është fjala për idealizëm, por për realizëm. Një shembull, nga fillimi, kur kanë qenë zgjedhur katër gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, 2010-2011, asnjë prej tyre nuk i ka plotësuar kërkesat e konkursit sipas ligjit për Gjykatën Kushtetutare”, theksoi ai.

Ai tha se akti më i lartë juridik shkelet nga politikanët dhe drejtuesit e institucioneve.

Smaka tha se Kushtetuta e Kosovës ka nevojë për ndryshim, duke përmendur këtu mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit ku ky institucion nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e drejtuesit të tij, e sipas Smakës në këtë pikë duhet plotësuar.

Ai deklaroi se komisioni ka qenë numerik me kompetentë dhe me pjesëmarrje të ndërkombëtarëve.

Gjithashtu te çështja e qeverisë në detyrë, Smaka bëri të ditur se në situatën aktuale në të cilën gjendet vendi, me një qeveri të rrëzuar por në detyrë, duhet specifikuar që e njëjta mund të kryejë të gjitha punët deri në ardhjen e qeverisë së re.

Siç tha ai, kjo nuk është në qeveri në dorëheqje dhe shteti nuk mundet pa qeveri, andaj do të duhej të ushtronte të gjitha funksionet e qeverisë deri në momentin që zgjidhet një tjetër.

Smaka, që ishte një prej hartuesve të kësaj Kushtetute tha se në situatën në të cilën gjendet vendi, pas votimit të mocionit të mosbesimit, është shumë e nevojshme që në Kushtetutë të ishte e përcaktuar qartë mënyra e veprimit për zgjedhjen e qeverisë së re.

Ditë më parë, presidenti i vendit i kërkoi Lëvizjes Vetëvendosje emrin e kandidatit për mandatar për kryeministër të ri të Kosovës, por që nuk përcaktohen afate se kur do të duhej të kthehej përgjigja e partisë fituese në presidencë.

“Por çfarë ndodh nëse nuk i merr votat, nuk ka dispozitë tjetër, këtu është vetëm një etapë, do të duhej shtuar atje që në këtë rast aplikohet dispozita neni 95, paragrafi 1, 2, 3, 4, që shkohet edhe në zgjedhjen e dytë, mos të krijohet situatë që duhet të shpallen menjëherë zgjedhjet sepse kushtojnë, pastaj shkaktohet ndër të tjera edhe ngopja e qytetarëve, e votuesve, bie fjalë ne nuk dalim të votojmë dhe krijohet problem”, shtoi Smaka.

Njohës të Kushtetutës së Kosovës në vazhdimësi kanë deklaruar se e njëjta nuk është respektuar në shumë raste që nga hyrja në fuqi e saj. Janë përmendur liderët e partive politike dhe deputetë të Kuvendit që kanë marrë vendime jo kushtetutese, presidentë që kanë dhënë dorëheqje për shkak të shkeljes së Kushtetutës, konstatim ky i Gjykatës Kushtetuese në kohën e Fatmir Sejdiut dhe Behgjet Pacollit dhe rastet kur në veri të vendit komuniteti serb nuk e ka zbatuar Kushtetutën.