Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale, e cila synon njohjen e kontributit dhe rolit që gratë nga zonat rurale kanë në komunitet, duke përmirësuar jetën dhe mirëqenien në tërësi.

Sivjet kjo ditë në qendër të vëmendjes ka nevojën urgjente për ndërtimin e rezistencës së grave rurale pas COVID-19, për “ndërtimin e një rruge më të mirë” duke forcuar jetesën dhe mirëqenien e qëndrueshme të grave rurale.

Gratë rurale luajnë një rol vendimtar në bujqësi, siguri ushqimore dhe ushqyerje, menaxhim të tokës dhe burimeve natyrore dhe ndërmarrjeve rurale. Ato kanë qenë në vijat e para të reagimit ndaj pandemisë edhe kur kujdesi i tyre i papaguar dhe puna shtëpiake u rritën gjatë kohës së izolimit, lëvizshmëria është e kufizuar, zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë, transmeton rtv21.tv.

Pandemia gjithashtu ka rritur cenueshmërinë e të drejtave të grave rurale në tokë dhe burime. Normat dhe praktikat diskriminuese gjinore pengojnë të drejtat e pronës në shumicën e vendeve.

Dita botërore e gruas rurale u caktua në vitin 1995 nga organizatat e shoqërisë civile në Konferencën e katërt botërore për gratë në Pekin dhe u shpall Ditë zyrtare në vitin 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Kjo ditë për herë të parë u shënua më 15 tetor 2008, pasi përmes një rezolute Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007 njohën “rolin jetik dhe kontributin e gruas rurale, për mirëmbajtjen e agrikulturës dhe zhvillimit rural, për përmirësimin e sigurimit të ushqimit dhe luftimit të varfërisë rurale”.

Në Kosovë nuk është paraparë ndonjë aktivitet për shënimin e kësaj dite./21Media