“Te Xhamia e kuqe vërejtëm se një grup policësh e paramilitarësh ishin stacionuar aty afër. Kishin shiringa në duar. Dikush nga ne tha me zë të vogël se po drogohen.”

“Lëshoji të shkojnë në Shqipëri se atje e kanë vendin.”

“Gjuanin nga secila dritare. Aty kujtova se do të na vrasin, por erdhi një kombi i madh i policisë dhe e morën babën dhe burrat tjerë.”

Që nga 7 maji, në portalin rtv21.tv është botuar për herë të parë ditari katër pjesësh i një njëmbëdhjetëvjeçari, shkruar gjatë katër ditëve të luftës në qytetin e Gjakovës – 7 deri më 10 maj 1999.

Në pjesën e parë të këtij ditari autori rrëfeu për fillimin e ofensivës në Çabrat të Gjakovës. Në rrëfimin e publikuar më 8 maj, theksin e vë te shkatërrimi i minares së xhamisë së Hadumit dhe këqyrjes së kufomave për të ditur nëse ishin familjarë. Detajet e 9 majit 1999, u publikuan më 9 maj 2020 – shkëputur nga ky ditar që për këtë ditë përmend frikën e hyrjes së serbëve në shtëpi ndërkohë që fshiheshin nga luftimet si dhe kujton plagosjen e një ushtari të UÇK-së.

Dhjetë maji 1999, në këtë ditar të një të riu që ka përjetuar luftën në Gjakovë, përshkruhen momentet e përballjes me policinë serbe, plumbat që ‘iu fluturonin’ mbi kokë si dhe erën e rëndë të Çarshisë së vjetër që ishte djegur e gjitha.

10.05.1999

U zgjuam shumë herët në mëngjes për të dalë në Çarshinë e vogël. U gëzova që po shkonim në shtëpi. U bëmë gati për të dalë, por para se të niseshim, profesor Bardhyli tha se nuk po vjen, se: Po ju zunë me mua do ta keni më keq. Ai më mori afër vetes, më përqafoi e më porositi që të mos kem frikë, më tha se duhet ta duam vendin, të jemi më të mirë kur të përfundojë lufta.

Dolëm. Çfarë të shohim, të gjitha dyert e thyera, ishte tmerr. Frikësoheshim nga vetvetja. Përderisa ecnim arritëm te Xhamia e kuqe vërejtëm se një grup policësh e paramilitarësh ishin stacionuar aty afër. Kishin shiringa në duar. Dikush nga ne tha me zë të vogël se po drogohen.

Këta na ndalën e na kontrolluan. Unë kisha një çantë të vogël me barna. Në njërin xhep të çantës ishin mjetet për pastrim të plagëve, unë u frikësova dhe e ktheva atë xhep kah vetja, që policët të mos e vërejnë. Duke na bërtitur, na pyetën se ku po shkonim, e në iu thamë se po ikim për në Shqipëri. Na thanë të kthehemi në shtëpi, e ne u bëmë gati të kthehemi. Por, për pak sekonda arriti një grup i madh me policë të tjerë. Këta ishin plot me armë në trup e në duar. Folën mes vete, pyetën se ku po shkonim ne, paramilitari i tha: Po shkojnë në Shqipëri. E polici na u drejtua neve: Lëshoji të shkojnë në Shqipëri se atje e kanë vendin. Ne u larguam, mundoheshim të ecim më shpejt. Ndërkohë grumbulli i policëve vazhdoi drejt rrugës së Çabratit, andej nga erdhëm ne. Gjuanin gjithë kohës. 

Dolëm nëpër Çarshi të madhe, vinte era tym e djegie. U nisëm në një rrugë, por takuam disa njerëz dhe na thanë se ka policë dhe duhet ta ndërrojmë rrugën. Ecëm kah Teqja e madhe dhe vazhduam rrugën (andej ku është shkolla e muzikës sot) e dolëm në qendër. Ne nuk i pamë, por policën na dolën para e na ndalën. Na ndanë, gratë e fëmijët në një anë dhe burrat në një anë. I kontrolluan të gjithë dhe iu shikuan letërnjoftimet. Ashtu si ishim të rreshtuar, serbët i mbanin armët drejt nesh. Ndërkohë, nga banesat që ishin sipër nesh filluan të gjuajnë drejt Çabratit. Gjuanin nga secila dritare. Aty kujtova se do të na vrasin, por erdhi një kombi i madh i policisë dhe e morën babën dhe burrat tjerë. Ne mbetëm të hutuar. Na thanë të largoheshim por nuk dinim nga të ecnim. Gjuanin nga dritaret e banesave e ne endeshim në rrugë poshtë tyre derisa na bërtiti një serb, që fliste herë shqip e herë serbisht. Ai na tha të shkojmë te kisha serbe se është më sigurt. Mbetëm aty anash, afër Elektro-Kosovës, derisa Zeka e hodhi në mes të rrugës çantën që kishte në krah dhe iku. Gjyshi që mbeti me ne, frikësohej të largohemi, por ashtu, fshehtas nëpër rrugë arritëm deri në Çarshi të vogël.

Pas disa orësh, baba erdhi në shtëpi. E kishin liruar për fat të mirë, por edhe e kishin rrahur keq. Na tha se i ka parë mbrenda në objektin që i mbanin shumë burra që i kanë zënë në rrugën e Çabratit por edhe në pjesë të tjera të qytetit. Ai nuk i tregoi gruas së axhës së tij se aty ishin edhe djemtë e saj. Menjëherë, na tha baba, të nisemi për në stacion të autobusave sepse ka plot njerëz që po ikin për në Shqipëri. Duke ecur rrugëve fshehtas, arritëm në stacion. Vërtet kishte shumë njerëz, plot gra e fëmijë që qanin. Qanin pleqtë se iu kishin marrë djemtë. Nuk arritëm të hipim në autobus, se ishin nisur. Por, vetëm disa minuta më vonë u kthyen autobusat. I kishin ndalë te fshati Bistazhin dhe kishin marrë edhe disa burra që kishin mbetë. Fëmijët i kishin fytyrat e enjtura nga vaji për baballarët e tyre. Sa shumë britma, ta merr mendja se u shemb bota.

E ne, ashtu si erdhëm edhe kthyem në shtëpi.

*

Ditari është shkruar në muajin qershor 1999 nga Lorik Bakija.

Transkriptuar nga fletorja në vjeshtë 2019.

Teksti është origjinal, fjalitë janë të paprekura, pos disa korrigjimeve gjuhësore.