“Baca Zekë kujtoi se njëri është djali i tij, por unë e Blendi u futëm brenda tinëz e i shikuam. Kur i thamë se nuk është djali i tij, ai u qetësua dhe na premtoi një dhuratë.”

Ditë të rënda për Gjakovën ishin ditët e majit 1999. Dhjetëra u vranë e qindra mezi shpëtuan. Njëri nga të mbijetuarit e betejës së Çabratit, atëkohë njëmbëdhjetë vjeçar, kishte shkruar përjetimet. Kujtimet e të riut të asaj kohe botohen për herë të parë. Është një ditar që sjellë rrëfime personale për katër ditë.

Më 7 maj 2020, u publikuan zhvillimet e para 21 vjetësh, sot vazhdon ditari i këtij të mbijetuari me ngjarjet e 8 majit 1999. Njëmbëdhjetë vjeçari i asaj kohe, në këtë pjesë rrëfen tentimin për t’u larguar nga Çabrati dhe lagjja e vjetër e Gjakovës, vrojtimin e kufomave për të shikuar nëse është ndonjë familjar dhe sfidën e mbijetesës në ditë lufte që më se paku luftë është.

Xhamia e shkatërruar e Hadumit – Foto nga “Wikipedia”

08.05.1999

Këtë ditë, policia serbe vetëm i thyenin dyert e shtëpive dhe i maltretonin në mënyra të ndryshme popullatën civile. Ne deshëm të dalim në pjesën tjetër të qytetit, ku kishte më pak rrezik nga lufta. Duke ecur rrugës pamë shumë kufoma njerëzish civilë. Ishin të masakruar të gjithë. Te medresja e madhe ishin disa, kishte shumë gjak. Unë dhe Blendi mundoheshim t’i shikonim nëse e njohim ndonjëherin. Baba na bërtiste që ta kthejnim kokën në anën tjetër. Por ishte e vështirë të këqyrim në anën tjetër kur i kapërcenim trupat. Në një rrugicë pamë një njeri të vrarë, kishte rënë mbi karrocë. Më tej, në një dyqan që i kishte shpëtuar flakëve i pamë dy persona të vrarë. Baca Zekë kujtoi se njëri është djali i tij, por unë e Blendi u futëm brenda tinëz e i shikuam. Kur i thamë se nuk është djali i tij, ai u qetësua dhe na premtoi një dhuratë.

E vazhduam rrugën të trishtuar. Policia serbe na zuri e nuk na la të depërtojmë në anën tjetër të qytetit. Prapë u kthyem aty ku ishim më parë. Gjyshi e përgatiti tavanin e shtëpisë për t’u fshehur nga paramilitarët që po futeshin nëpër shtëpi. U dëgjua një zhurmë e madhe e granatës e kur shikuam se çfarë po ndodhte, e pamë se e kishin rrëzuar minaren e xhamisë së Hadumit, që kishte themel të vjetër 500 vjeçar.

*

Ditari është shkruar në muajin qershor 1999.

Transkriptuar nga fletorja në vjeshtë 2019.

Teksti është origjinal, fjalitë janë të paprekura, pos disa korrigjimeve gjuhësore.