“Ai tha: E kemi një ushtar të plagosur, a mund të vijmë këtu?”

“Ata hëngrën dhe treguan se që nga dje nuk kishin ngrënë. Kur e pashë tavën, mu kujtua se as ne nuk kemi ngrënë tërë ditën.”

Që nga shtatë maji, botuam për herë të parë ditarin e një njëmbëdhjetëvjeçari të vitit 1999. Në ditarin e tij, i riu përshkruan përjetimet gjatë ditëve të luftës në qytetin e Gjakovës, filluar nga beteja e Çabratit më shtatë maj deri më dhjetë maj 1999.

Në këtë ditar, 9 maji i para 21 vjetësh paraqet ditën kur autori bëhet dëshmitar i shkatërrimit të minares së xhamisë pesë shekullore në Gjakovë. Rrëfen për ushtarët e plagosur të UÇK-së, për mjekimin e plagëve të tyre dhe për urinë – çuditshmërisht, meqë ushqim kishin.

Më dhjetë maj 2020 botohet rrëfimi i një tjetër dite nga ditari i këtij njëmbëdhjetëvjeçari. Do të përmendë detaje si ajo e rreshtimit para tytave të armëve të policisë serbe, dëshmon se policët drogoheshin para luftimeve dhe tregon tentimin për t’u larguar për në Shqipëri.

09.05.1999

Deri në orën 13:00 ishte qetësi, por më pas filluan luftimet edhe më të ashpra. Çabrati ishte i rrethuar nga serbët. Atëherë gjyshi, babai dhe një fqi i gjyshit hipën në tavanin e shtëpisë ku mendonin se ishte më sigurt, sepse nuk kishin nga t’ia mbanin, sepse ishim të rrethuar nga të gjitha anët. Ndërkaq gjyshja, nana, Blendi e unë qëndruam poshtë në shtëpi.

Filluan prapë gjuajtjet ndërmjet UÇK-së dhe policisë e ushtrisë serbe. Papritur u dëgjuan dritaret që u thyen nga bombat që kishin hedhur serbët nga Çabrati. Ne u frikësuam se mos po na hyjnë brenda, u munduam të fshihemi. Më vonë, nana shkoi në atë dhomën që iu thyen dritaret, e unë i shkova prapa. Ajo e thirri gjyshin: Babë, o babë, a jeni mirë, a jeni gjallë? Ata si duket ishin menjëherë mbi atë dhomë, e iu përgjigj: Jemi gjallë, e mos bën zë se policinë afër e kemi. Në atë kohë pamë dorën një njeriu, kishte të kaltërt të mbyllur. Dhe, thamë të ikim se janë policia e po na dëgjojnë dhe do të hyjnë brenda nga dritarja. I dëgjuam kur thanë në gjuhën e tyre: Në këtë shtëpi ka njerëz. Në atë kohë, një ushtar serb e gjuajti një bombë dore mbi kulm, tamam te vendi ku ishte gjyshi, por për fat bomba u rrotullua dhe ra në oborrin e fqiut. Pastaj, edhe tri bomba të tjera i hodhën në kulm, por ato nuk eksplodonin në vend. Atëherë një komandant i tyre tha: Jo, këtu nuk besoj që ka njerëz. Ndërkohë gjyshi na tregoi se i ka parë katër njerëz të hedhur në tokë e të mbështjellur me çarçafë të bardhë. Si duket njëri nga këta ishte gjallë dhe lëvizte. Ky e nxori kokën nga çarçafi, por serbët gjuajtën në ta me granatë dhe i shkatërroi të katërt.

Pak më vonë dola në dritaren me pamje kah oborri dhe i pashë që ecnin fshehurazi katër ushtarë të UÇK-së. Njëri mu duk se ishte i plagosur. Gjuajtjet me armë vazhduan deri vonë. Rreth orës 22:00, zbritën nga tavani e pas pak minutash erdhi në shtëpi një ushtar i UÇK-së. Ai tha: E kemi një ushtar të plagosur, a mund të vijmë këtu? “Po” – thanë njëzëri baba e gjyshi. Atëherë ata erdhën dhe baba ia mjekoi plagën me ato ilaçe që kishim. Gjyshja i thirri ushtarët e tjerë për të ngrënë. Ata hëngrën dhe treguan se që nga dje nuk kishin ngrënë. Kur e pashë tavën, mu kujtua se as ne nuk kemi ngrënë tërë ditën. Ushtarët pushuan pak, e rreth orës 23:00 thanë: A doni të vini me, se po dalim përtej Krenës?! Gjyshi iu tha po, por më pas u frikësuam të dalim natën komplet familja.

U bëmë gati për të ikur. Bashkë me ushtarët e UÇK-së, kalonim nëpër dyer e vogla nëpër mure, e dolëm te shtëpia e familjes Gjoshi. Aty u përshëndetëm, ushtarët shkuan e ne mbetëm. Në shtëpi i gjetëm familjen Gjoshi, bacën Bashkim e profesor Bardhylin. Profesori na tha që bëmë mirë që nuk shkuam, se natë është e mund të bimë në pritë. Na premtoi se nesër herët do të zgjohemi e do të largohemi të gjithë.

Kishte të shtëna gjatë të gjithë natës. Disa u shtrinë në dhomë, unë Blendi e nana ishim në korridor. Disa rrinin në oborr. Unë e Blendi u kënaqëm gjumë.

*

Ditari është shkruar në muajin qershor 1999.

Transkriptuar nga fletorja në vjeshtë 2019.

Teksti është origjinal, fjalitë janë të paprekura, pos disa korrigjimeve gjuhësore.