“Tërë ditën qëndruam të shtrirë për dhe. Baba e nana herë na bërtitnin e herë na merrnin me të mirë, ata shtriheshin në dhe, e në mes të tyre ishim unë e Blendi. Frikoheshim se ata të dy do të vriteshin se ishin në skaj.”

Duke filluar nga sot e deri më dhjetë maj, publikojmë për herë të parë ditarin e shkruar nga një 11 vjeçar që e përjetoi betejën e zhvilluar në Çabrat të Gjakovës. Njëmbëdhjetë vjeçari i atëhershëm, tani në 21 vjetorin e kësaj beteje që zgjati katër ditë, e sjellë rrëfimin në katër pjesë – për secilën ditë. Fjalët janë të thjeshta, por përplot emocion.

Për shtatë majin shkruan pak, lë të kuptohet befasia e tij atëbotë, kur me t’u zgjuar nga gjumi duheshin të iknin përpjetë kodrës, e të përballeshin me plumba. Por, rrëfimi i ditëve në vazhdim bëhet akoma më intenziv, përderisa rrëfen për njerëzit e vdekur, kufomat që i shikonin nëse ishin familjarë dhe përballjet me policinë e ushtrinë serbe.

07.05.1999

Ishte mëngjesi i 7 majit të vitit 1999. Në orën 8:30 të mëngjesit, militarët dhe paramilitarët serbë filluan t’i thenin dyert e shtëpive dhe të gjuanin me armë. Ne vrapuam menjëherë drejt kodrës së Çabratit, por për fat të keq serbët filluan të gjuajnë drejt kodrës ku ishim fshehur ne.

Bashkë me ne ishin edhe disa ushtarë të UÇK-së. Dëgjonim gjuajtjet me armë të ndryshme, bërtimat e njerëzve. Ushtarët tanë nuk duruan dhe filluan të vërsulen mbi bishat serbe. Në këtë kohë ishin vrarë shumë civilë shqiptarë të pa armatosur dhe disa dëshmorë, ushtarë të UÇK-së që nuk u dorëzuan derisa vdiqën. Kështu lufta vazhdoi tërë ditën.

Ne ishim të pangrënë e të papirë tërë ditën. Mua më dhimbte koka. Nuk kishim as ujë e as barna me vete. Por, profesor Bardhyl Çaushi e kishte një tabletë dhe atë e kapërdiva pa ujë. Bishat vazhdimisht gjuanin me armë të ndryshme artilerie, kështu  plumbat shkonin mbi kokat tona. Tërë ditën qëndruam të shtrirë për dhe. Baba e nana herë na bërtitnin e herë na merrnin me të mirë, ata shtriheshin në dhe, e në mes të tyre ishim unë e Blendi. Frikoheshim se ata të dy do të vriteshin se ishin në skaj.

Kur u bë ora 7 e mbrëmjes, serbët filluan të tërhiqeshin nga fronti i luftës, por disa prej tyre u pozicionuan në shtëpitë e shqiptarëve. Më vonë, në orën 20:30, ne zbritëm fshehurazi nga Çabrati dhe shkuam në shtëpinë e dajës. Pushuam, por tërë natën kishte gjuajtje me armë.

*

Ditari është shkruar në muajin qershor 1999.

Transkriptuar nga fletorja në vjeshtë 2019.

Teksti është origjinal, fjalitë janë të paprekura, pos disa korrigjimeve gjuhësore.