Të rinjtë do të shkëmbejnë përvojat e tyre në vendet ku jetojnë

Të rinjtë do të shkëmbejnë përvojat e tyre në vendet ku jetojnë

Për t’i mirëpritur në vendlindje dhe për t’i nderuar për të gjithë kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovës, Ministria e Diasporës çdo vit organizon Ditët e Diasporës për bashkatdhetarët.

Në emisionin Bon Bon të RTV21, ishte i ftuar përfaqësuesi nga kjo kompani, Avdyl Lipoveci i cili shpalosi programin e sivjetmë të këtyre ditëve.

Lipoveci tregoi se programi këtë vit filloi me konferencën që organizohet me Rrjetin e Juristëve shqiptar në diasporë së bashku me Odën e Avokatëve të Kosovës.

“Jemi në diskutime që shumë shpejt brenda fillimit të korrikut të fillojmë me një aktivitet që është promovimi i trashëgimisë kulturore, jemi në diskutime me Muzeun e Kosovës, që në disa prej qyteteve të ofrojmë një aktivitet për të promovuar vlerat tona të trashëgimisë kulturore”, tha Lipoveci.

Edhe sivjet më datë 1 gusht do të mbahet aktiviteti “1 lule për Jasharajt” në Prekaz. Ndërsa më datë 2 gusht, që ligjërisht njihet si Dita e Diasporës me ligjin për diasporën dhe mërgatën, do të ndahen çmimet e ‘Mërgimtari i vitit’ për të arriturat e pjesëtarëve të diasporës në fusha të ndryshme, shkruan rtv21.tv

Lipoveci tha se programi sivjet do të përmbajë një laramani të aktiviteteve.

“ Do të kemi kampin për të rinj që do të mbahet në fund të muajit korrik, nga 24 deri në fund të muajit dhe që afati i aplikimit është deri më 10 korrik. Është një kamp që organizohet nga Ministria e Diasporës përmes operatorit OJQ “Toka”, ku të rinjtë nga diaspora kanë mundësi të vijnë për pesë ditë të jenë pjesë kampit”, theksoi Lipoveci, duke shtuar se kampi do të jetë mundësi e mirë për të rinjtë të njoftohen me vendin dhe bashkëmoshatarët nga trojet shqiptare.

Sipas tij, nga fundi i muajit gusht do të zhvillohet një konferencë ku të rinjtë mund të promovojnë të arriturat e tyre në vendet ku jetojnë./21Media