DnV: Rrethanat aktuale nuk mundësojnë zgjedhje të lira në veri

Koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në Veprim”, ka thënë se në rrethanat aktuale nuk ka mundësi që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të drejta në veri të vendit më 23 prill. Në një reagim të mërkurën, DnV-ja ka thënë se situata aktuale, me mungesë të kandidatëve nga radhët e komunitetit serb, mund ta cenojë legjitimitetin e institucioneve që dalin nga zgjedhjet.

Lista Serbe ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet lokale që janë caktuar të mbahen në katër komunat veriore të dielën e 23 prillit. Kjo parti, që deri tash ka fituar zgjedhjet në radhët e komunitetit serb, ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe largimin e njësive “speciale” të Policisë nga veriu.

“Përkundër shtyrjes së disahershme të ditës së zgjedhjeve dhe afateve për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, subjektet politike, në veçanti ato të komunitetit serb, nuk kanë shprehur vullnet për të qenë pjesë e garës zgjedhore. Madje, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, ku komuniteti serb përbën mbi 90% të popullsisë, nuk është regjistruar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb. DnV vlerëson se kjo situatë mund të cenojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet, pasi nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb”, thuhet në reagim të DnV-së.

DnV-ja ka thënë se organizimi i zgjedhjeve përballet me telashe edhe për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve zgjedhorë nga komuniteti serb. Ky koalicion i OJQ-ve ka thënë se edhe situata e sigurisë në katër komunat veriore mbetet e brishtë, pas dorëheqjes së zyrtarëve policorë serbë në fillim të nëntorit të vitit të shkuar. DnV-ja ka thënë se nëse organizohen zgjedhjet mund të pritet mungesa e interesimit të qytetarëve për të votuar.

“Kjo pritet të manifestohet edhe me dalje shumë të ulët në zgjedhje, që do të cenojë legjitimitetin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 23 prillit. Andaj, marrë parasysh situatën e tanishme në terren, DnV vlerëson që rrethanat e tanishme, nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, në përputhje me standardet për zgjedhje të lira dhe të drejta”, thuhet në reagim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të konvertimit të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia.

Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, qenë shtyrë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Pas kësaj dhe pas caktimit të datës së re të zgjedhjeve, afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars, e Lista Serbe nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në to.

Back to top button