Ipeshkivi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, sot i ka dërguar mesazh urimi Kryemyftiut të BIK-ut, Naim Tërnavës për festën e Kurban Bajramit.

“Në këto rrethana tejet të vështira uroj që festimi i festës së Kurban Bajramit, me të cilën ju kujtoni sakrificën e Abrahamit, i lutemi Hyji të gjithëpushtetshëm, Krijuesit tonë të përbashkët, që populli ynë dhe gjithë njerëzimi ta përballojë sa më lehtë këtë sëmundje të tmerrshme, që përditë
e më shumë po shuan jetët e njerëzve dhe po shkakton vështirësi të mëdha shëndetësore.”, është bërë e ditur në urimin e Dodë Gjergjit.

Ai e ka uruar Tërnavën edhe për fillimin e xhamisë së re.

“Duke ju uruar shëndet, mirësi dhe paqe Juve, familjes tuaj dhe gjithë besimtarëve të besimit islam, po shfrytëzoj rastin t’Ju shpreh urimet e mia
për fillimin e punimeve në ndërtimin e xhamisë së re.”, është shkruar më tutje në urimin e Dodë Gjergjit./21Media