Dogana parandalon hyrjen e çokollatave të Zvicrës në Kosovë, ishin me afat të skaduar
Në kuadër të kontrolleve rigoroze për mbrojtjen e qytetarëve, Dogana e Kosovës ka parandaluar hyrjen e një sasie të konsiderueshme të mallrave ushqimore të skaduara në Zyrën Doganore të Mitrovicës.
Dërgesa përmbante çokollata të importuara nga Zvicra, me një peshë neto prej 16,500 kg, të cilat u zbuluan me afat të skaduar gjatë procesit të kontrollit të rregullt doganor.
Menjëherë pas identifikimit të problemit, Dogana njoftoi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për inspektimin e mëtutjeshëm të produktit, si dhe prokurorin e rastit për trajtimin e mëtejshëm ligjor të situatës.
“Parandalimi i hyrjes së produkteve të rrezikshme në treg është prioritet i vazhdueshëm për Doganën e Kosovës, e cila punon ngushtë me institucionet përkatëse për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e mallrave që importohen në vend”, thuhet në njoftim.
Ky rast shërben si kujtesë për të gjithë importuesit që të respektojnë rregulloret dhe standardet e sigurisë ushqimore, ndërsa qytetarët ftohen të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo dyshim për produkte të skaduara ose të rrezikshme në treg”, thuhet në njoftimin e doganës.