Ndotja e ajrit këtë sezon ka nisur më herët në Shkup. Kjo për shkak të ndryshimeve klimatike, por edhe motit të ftohtë vlerësojnë nga iniciativa O2.

Edhe mbrëmë stacionet matëse shënuan nivel të lartë të ndotjes, nëpër disa komuna. Më së shumti grimca PM10 kishte në Kumanovë, në lagjen Lisiçe e re dhe Gazi Babë të Shkupit, Kavadar, Veles dhe Strumicë.

E kreu i Shkupit Petre Shilegov vlerëson se kjo nuk është ndotje, por mjegull.  Ai u shpreh i shqetësuar për ndotjen, por nuk përmendi ndonjë masë ose plan që mund të shmangë të njëjtën.

Fakti që kishim rritje të ulët të vlerave, të cilat nuk e tejkaluan maksimumin, bënë që të kemi mjegull mbi Shkup mbrëmë”, deklaroi  Shilegov.

Nga iniciativa O2 vlerësojnë se në nivel qendror nuk është bërë sa duhet për ndotjen dhe se me ndërrimin e qeverive ngecin planet për ajër të pastër. Sipas Tatjana Çakulev nga kjo iniciativë mungojnë analizat rreth masave që ndërmerren për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Planin për ajër të pastër askush nuk po e përmend. Plani ishte me afat dy vjeçar dhe tani në 2020 duhej të përfundonte. Mirëpo askush nuk ndjek detajet se deri ku ka përfunduar, cili është impakti, si janë gjendjet me ajrin e ndotur, për sa është zvogëluar në përqindje. Analizat ngecin. Kjo te ne është gjithnjë problem, analiza dhe vazhdimi pa marrë parasysh se kush vjen në pushtet, nëse kihet një plan ose masa, ajo të shkoj deri në fund”, u shpreh Çakulev.

Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë Dejan Dokiq paralajmëron se ajri i ndotur mundëson depërtimin më të lehtë të viruseve në organizëm. Sipas Dokiq ajri i ndotur ndikon negativisht edhe te personat e shëndoshë duke shkaktuar, ndezje të lehtë të traktit të frymëmarrjes, me gërvishtje ose djegie të fytit.

Megjithatë ndotja e ajrit pikërisht për këtë ndezje të lehtë që e shkakton, mundëson depërtimin e viruseve në indet e dëmtuara apo në epitel, kështu që ata pacient që janë të eksponuar ndaj ajrit të ndotur më lehtë dhe më shpesh mund të pranojnë viruse dhe të shkaktohen infeksione të viruseve”, potencoi Dokiq.

Sipas doktorit Dokiq ajri i ndotur mund të ndikojë edhe në komplikimin e pasqyrës klinike të personave pozitiv me COVID-19. Ai apelon te qytetarët që të bartin maska mbrojtëse të ashtuquajtura N95 që të mbrohen edhe nga ajri i ndotur edhe nga infeksionet virusale./TV21