Në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë por edhe në qytetet e tjera të Kosovës janë vendosur tenda e Transfuzionit të Gjakut, ku për një javë vullnetarët do të kenë mundësi të dhurojnë gjak.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi në një intervistë për emisionin “Për ditë të mbarë” në RTV21 inkurajoi të gjithë ata që kanë mundësi të dhurojnë gjak, pasi që është shumë i nevojshëm.

Ajo tha se mosha më e përshtatshme për të dhuruar gjak është prej 18 deri në 65 vjet, duke theksuar se gjendja shëndetësore e dhuruesit është qenësore.

Doktoresha u shpreh se edhe personat mbi 65 vjeç mund të dhurojnë gjak, mirëpo kjo vlenë vetëm për ata që kanë dhuruar gjak vazhdimisht dhe nuk përdorin barna.

Zhubi duke folur për rëndësinë e dhurimit të gjakut tha se një person mund të dhurojë në çdo të tretin muaj, ndërsa një pacient mundet të marr 50 doza brenda ditës.

Java e Dhurimit të Gjakut ka filluar më 14 qershor do të zgjas deri më 21 qershor./21Media