Festivali i filmit DokuFest i cili për 18 vjet radhazi mbahet në Prizren, përveç në kulturë ka ndikuar edhe në turizëm, duke bërë që Prizreni të jetë qytet i vizituar nga ndërkombëtarët gjatë netëve kur mbahej ky festival.

Mirëpo këtë vit do të jetë më ndryshe, Prizrenit do t’i mungojë gjallëria që sillte DokuFest, por vet festivali nuk do të mungojë. Kjo pasi që do të mbahet online, shkruan portali rtv21.tv

Detajet e organizimit për emisionin ”Bon Bon” në RTV21 i tregoi producentja e festivalit, Alba Çakalli.

Ajo tha se tema e sivjetme e festivalit do të jetë “Transmitting, Transitioning, Transforming”.

Çakalli po ashtu tregoi se festivali do të jetë i qasshëm për audiecën në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Ndërsa, debatet dhe performancat muzikore sipas producentes do të jenë të qasshme globalisht.

Për të parë një film të DokuFest online do të duhet të paguani nga 2 euro për një film, ndërsa programi për fëmijë do të jetë falas.

Kurse, pandemia ka ndikuar edhe në përgjysmimin e filmave, për dallim nga prej 280 filmave gjatë vitive të kaluara, sivjet janë 150./21Media