Donacionet nga Serbia janë bërë “mollë” sherri në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Me akuza dhe kundër akuza është përcjell pranimi i 1000 testeve nga Serbia për Covid 19. Aty deputetët e PDK-së dhe AAK-së kanë vazhduar kritikat ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Por, në krah të këtij të fundit ka dal kryeparlamentarja, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se donacionet nga Serbia nuk kanë arsyetim, por të tillat janë pranuar qysh nga viti 2016 me dhjetëra miliona euro.

Ish-ministri, tashmë deputeti i PDK-së, Uran Ismaili është shprehur se kryeparlamentarja Osmani me këtë qasje është duke promovuar shkeljen e ligjit. Ai ka thënë se donacionet e kaluara kanë ardhur në bazë të ligjeve të Kosovës, kurse këto të fundit sipas tij i kanë sjellur njerëzit e Gjuriqit, duke i kontrabanduar.

E kryetarja e legjislativit, Vjosa Osmani ka theksuar se marrjen e donacioneve nga Serbia edhe në vitet e kaluara e ka konfirmuar nga sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Për mua donacioni nga Serbia nuk ka asnjë arsyetim. As në 2016, as në 2017, as në 2018 as, 2019, as 2020. Unë këtë qëndrim politik nuk e thash. Thjesht iu informova se kjo letër më ka ardhur nga Ministria e Shëndetësisë. Jo nga persona politik, por nga sekretari permanent. Këtë do t’iu bëj të ditur të gjithë deputetëve, se unë e vlerësoj se është në interes të komisionit hetimor të ketë këtë informatë”,  ka thënë ajo.

E ashpër në reagimin e saj ndaj deputetit të PDK-së është shprehur Fitore Pacolli nga Vetëvendosje, e cila i ka thënë Ismailit se nuk mundet të mbulojë dështimin dhe korrupsionin 20-vjeçar të PDK-së në qeverisje.

Kundër marrjes së testeve nga Serbia është shprehur edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka theksuar se marrja e atyre testeve nga Serbia është fyerje për Kosovën.

Në fillim të pandemisë Covid-19, ish-Qeveria Kurti ka pranuar 1000 teste si donacion nga Serbia. Kjo është arsyetuar si gjest i vullnetit të mirë në këtë kohë krize, por kjo vazhdimisht është kundërshtuar nga deputetët opozitarë të PDK-së dhe të tjerë./kp