Donald Trump pritet të reduktojë fondet amerikane për Organizatën Botërore të Shëndetësisë me 90% për të kontribuar të njëjtën shumë me Kinën.

Në një letër zyrtare të zbuluar nga mediat, presidenti tha se kontributi i përvitshëm i SHBA-ve për agjencinë e shëndetit të OKB do të jetë vetëm 40 milionë dollarë.

Më parë SHBA jepte rreth 400 milionë dollarë në vit për OBSH-në, shumë më tepër se çdo vend tjetër, shifer kjo e kritikuar shpesh nga Trump.

Ai ka akuzuar organizatën se mbron Kinën, edhe pse kjo e fundit sipas tij ka fshehur shifrat e vërteta të koronavirusit në vend, duke bërë që vende të tjera mos merrnin masat e duhura.

Letra e Trump u publikua nga rrjeti Fox News dhe thoshte se presidenti “pranon të paguajë deri aq sa paguan Kina”.

Aty thuhet më tej: “Megjithë mangësitë e saj, unë besoj se OBSH ka një potencial të madh dhe dua që agjencia ta arrijë këtë potencial, veçanërisht në lidhje me krizën e re globale. Prandaj kam vendosur që SHBA do të vazhdojnë partneritetin, por Kina ka një borxh të madh me botën dhe duhet të paguajë pjesën e saj të plotë në OBSH. Nëse Kina rrit kontributet e saj në OBSH, ne do të përpiqemi t’i përshtatemi atyre”.

OBSH ka mohuar se mban anën e Kinës dhe sekretari i saj Michael Ryan ka vlerësuar ‘transparencën’ e vendit në lidhje me pandeminë.

Por zyrtarët e disa vendeve kanë thënë se ajo ka raportuar numra më të vegjël se ato reale të infektimeve.

Javën e shkuar revista gjermane “Der Spiegel” pretendonte se kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom ishte kontaktuar nga presidenti kinez Xi Jinping, i cili i kishte kërkuar të mos publikonte çdo informacion mbi kalimin e koronavirusit nga njeriu te njeriu.