Sukseset e kosovarëve në "Antalia 2019"

Sukseset e kosovarëve në “Antalia 2019”

Donjeta Sadiku fitoi medaljen e artë në Ballkanik, Besart Pireva e Shpejtim Bajoku të argjendtë, Patriot Behrami e Bashkim Bajoku të bronztë.

Një e artë, dy të argjendta dhe dy të bronzta është numri i medaljeve të fituara nga Kombëtarja e Kosovës në boks në Kampionatin Ballkanik “Antalia 2019”, që prej 10 dhjetorit e deri sot u mbajt në Antalia të Turqisë.

Medaljen e artë e fitoi Donjeta Sadiku, e cila sot në finale mposhti turken Sema Caliskan, në kategorinë -64 kg. Caliskan këtë vit kishte fituar medaljen e bronztë në kampionat botëror.

Sot në finale u mposhtën Shpejtim Bajoku (-63 kg) dhe Besart Pireva (-75 kg), të cilët u stolisën me medaljen e argjendtë. Të bronztën e fituan Patriot Behrami (-69 kg) dhe Bashkim Bajoku (-52 kg).

Kosova u paraqit me pesë boksierë dhe trajnerët Shefki Bogujevci dhe Besim Brahimi. Drejtësinë e ndau edhe gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli.