Skandal qeveritar në Kanadë

Skandal qeveritar në Kanadë

Ministrja e Thesarit, Jane Philpott që ishte përgjegjëse për shpenzimin e Qeverisë ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj, duke i dhënë edhe një goditje tjetër kryeministrit Justin Trudeau pak kohë para zgjedhjeve, të cilat sondazhet thonë se Trudeau mund t’i humbë.

Philpott deklaroi se nuk ishte e lumtur me mënyrën se si Qeveria u ishte përgjigjur pretendimeve se zyrtarë kanë bërë presion mbi ish ministren e drejtësisë, Jody Wilson-Raybould, për t’i ndihmuar firmës gjigante të ndërtimit Lavalin Group që të evitojë gjykimin për korrupsion.

“Fatkeqësisht kam humbur besimin në mënyrën se si Qeveria e ka trajtuar këtë çështje. Kam ardhur në përfundim se duhet të dorëhiqem nga pozita e anëtares së kabinetit”, ka deklaruar Philpott.

Kryeministri Trudeau ka deklaruar se është një humbje e madhe, por se e kupton ish ministren për vendimin e saj.

“Përderisa jam i dëshpëruar, e kuptoj vendimin e saj për t’u tërhequr. Dua ta falënderoj atë për shërbimin e saj. Ajo punoi pa pushim për të arritur ndryshim transformues. Ne do ta vazhdojmë këtë punë kruciale.”, tha Justin Trudeau.

Kjo është dorëheqja e dytë pas skandalit qeveritar që ksihte përfshirë edhe ish ministren e drejtësisë, Jody Wilson- Raybould./21Media