Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë proceduar nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, përmes të cilit iu mundësohet bashkatdhetarëve që të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës.

VV thotë se mërgata përbën më shumë se 1/3 e popullsisë së tërësishme në Kosovë dhe se roli e kontributi i bashkatdhetarëve ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm në jetën ekonomike dhe sociale e politike në Kosovë.

Rreth 700 milionë euro në vit, vijnë nga mërgata. Fatkeqësisht dhe jo për fajin e saj, roli politik i mërgatës është reduktuar shumë kur bëhet fjalë përfshirjen e tyre në vendimmarrje. Megjithëse, formalisht mundësia e pjesëmarrjes në zgjedhje ju njihej, praktikisht atyre ju është pamundësuar përmes burokracisë e pengesave teknike e administrative. Mospërputhja e numrit të madh të bashkatdhetarëve, kontributit politik, kombëtar dhe ekonomik të tyre dhe përfshirjes në zgjedhje, duhet të marrë fund, duke ju ofruar mundësi që të votojnë aty ku jetojnë, në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e VV-së.