Komuna e Drenasit është përfituese e grantit për mjedis të pastër, ku ka fituar 163,446.00 euro.

Pas përfundimit të raundit të dytë të vlerësimit të perfoamrncës së komunave në kuadër të Grantit të Performancës-Mjedis i Pastër, i lansuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe mbështetur nga organizata gjermane GIZ, Komiteti i grantit të performancës, ka radhitur Komunën e Drenasit në mesin e komunave përfituese të grantit për mjedis të pastër në vlerën prej 163,446.00 euro.

Vlerësimi i grantit të performancës në mjedis të pastër është bërë në tri kritere të qasjes, për tre indikatorë të qeverisjes së mirë të nxjerra nga sistemi i Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK) në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe tetë indikatorë të menaxhimit të mbeturinave, të nxjerra nga raportimi vjetor i komunave në Agjencionin për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës (AMMK) në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Po ashtu Komuna e Drenasit gjatë këtij viti ka fituar vendin e parë të Grantit të Performancës Komunale dhe vlera e këtij granti është mbi 803,000.00 euro./21Media