Drenasi hyn në zonën me rrezik të lartë, reagon Lladrovci
4 Dhjetor 2020
Komuna e Drenasit nga sot është futur në zonën me rrezik të lartë të infeksionit me Covid-19.
Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci. Ai u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes. .
“Nga sot, komuna jonë i takon komunave me rrezik të lartë të infeksionit!
Ministri i Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, ka nënshkruar vendimin që komuna e Drenasit, të kalojë nga kategoria e rrezikut mesatar, në kategorinë e komunave me rrezik të lartë.
Ky vendim vije pas vlerësimit dhe rekomandimit të IKShPK, në pajtim me rastet e infektimeve me virusin Covid 19, për 100 mijë banorë.
Qytetarë të nderuar,
Virusi vdekjeprurës është më i pranishëm këtë javë në komunën tonë se sa javët e mëparshme.
Andaj, kërkoj nga ju të respektoni plotësisht masat anti Covid, si dhe zbatoni vendimin për kufizimet e lëvizjes nga ora 19:00 deri në ora 5:00, me përjashtim të kategorive të përcaktuara në vendim.”, ka shkruar ndër tjerash Lladrovci në Facebook.
Sot në një konferencë për media u bënë të ditura ndryshimet në kategorizimin e komunave, të cilat do të vlejnë nga sot (04 dhjetor) deri më (11 dhjetor 2020). Siç u informua nga ministria e shëndetësisë, në zonën e kuqe me mbi 150 të infektuar brenda javës në 100.000 banorë janë 21 komuna: Prishtina, Fushë -Kosova, Graçanica, Gjakova, Zveqani, Zubin Potoku, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Kamenica, Drenasi, Kllokoti, Vitia, Podujeva, Peja, Vushtrria, Shtimja, Ferizaj, Gjilani. Në zonën e kuqe, kufizimi i lëvizjes është nga ora 19:00-05:00./21Media