Më rastin e shënimit të 21 vjetorit, Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, është mbajtur Seanca Solemne e Kuvendit të Komunës dhe janë bërë homazhe në të gjitha varrezat e dëshmorëve.

Fillimisht në Sallën e Kulturës, është mbajtur Seanca Solemne, ku merrnin pjesë nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, anëtar të Kuvendit dhe drejtor të drejtorive komunale. Seanca është udhëhequr nga kryesuesi Halilaj, i cili tha 14 Qershori është një datë historike, ditë e cila na kujton shpresën për jetë e liri të kërkuar me shekuj.

Ndërsa, nënkryetari Hasi, në fjalimin e tij në Seancën Solemne tha “se Dita e Çlirimit, është data ku me nderim të thellë, kujtojmë gjithë sakrificën e jashtëzakonshme të qytetarëve të Drenasit, heronj, dëshmorët dhe martirët e lirisë. Sot kujtojmë heroizmin e familjes Jashari, luftën e shenjt çlirimtare të Komandantit Legjendar Adem Jashari e bashkëluftëtarëve të tij, kujtojmë masakrat mbi civilët në Qirez e Likoshan, Abri, Izbicë, Rezallë, Reçak, Studime, Dubravë, Krushë e Madhe, Has e masakra të tjera mbi popullin e pafajshëm e liridashës shqiptar”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Hasi dhe ka shtuar se Drenasi ishte në luftë zonë e përfshirjes masive për liri dhe çlirim, sot është hapësirë e zhvillimit tonë, mirëqenies dhe të ardhmes, për neve dhe gjeneratat që vijnë. Hasi ka përmendur dhjetëra projekte komunale që do të zhvillohen gjatë këtij viti.

Pas përfundimit të Seancës Solemne, nënkryetari Hasi, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, anëtar të Kuvendit dhe drejtor të drejtorive komunale, kanë bërë homazhe e kanë vendosur buqeta me lule në sheshin “Fehmi Lladrovci” pranë shtatoreve të Heronjve, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Rasim Kiqina, Bedri Shala, Ilaz Kodra, pastaj homazhe janë bërë e kanë vendosur buqeta me lule në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë si dhe në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri, Tërdec, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Vjetër dhe Nekoc./21Media