Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë 8 shtetas, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Siç njoftojnë uniformat blu të kryeqytetit, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetases A.Q., 43 vjeçe, pasi në rrugën “Muhamet Gjollesha”, gjatë kontrollit fizik të ushtruar, iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 12 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit canabis sattiva.

Ndërkohë policia e Komisariatit nr.3 ka prangosur shtetasin me iniciale Xh.M., 25 vjeç, i cili dyshohet se në mënyrë të përsëritur ka kryer marrëdhënie seksualë me dhunë me një shtetase të mitur 14-vjeçare.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4, bënë arrestimim në flagrancë të shtetasit G.M., 25 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për shkak të detyrës. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F.Xh, 21 vjeç, pasi në Vaqarr, për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin A.T., 27 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E.K., 38 vjeç, H.Z., 26 vjeç, L.T., 33 vjeç dhe A.R., 53 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatese në gjendje të dehur”, vijon njoftimi i Policisë së Tiranës./oranews