Më 20 qershor u shënua Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve. Kjo ditë u kujtua nga të gjithë, e në mesin e tyre ishin edhe fytyrat publike.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është njëra prej artisteve që rrjedh nga një familje refugjate.

24-vjeçarja bashkë me familjen nga Kosova ishte larguar për në Mbretërinë e Bashkuar, në vitet ’90.

Në lidhje me këtë babai i Duas, Dukagjin Lipa përmes disa imazheve të refugjatëve kosovarë dhe sirianë, shkroi disa fjalë prekëse për Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve.

“Dje u kujtuam për një kohë 21 vjet më parë kur mbi një milion shqiptarë nga Kosova u detyruan të dilnin nga shtëpitë e tyre dhe u ndoqën jashtë vendit, gjatë fushatës brutale të spastrimit etnik të kryer nga forcat serbe në #Kosovë. Në çdo #WorldRefugeeDay (Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve) dhe çdo ditë tjetër, ne do të qëndrojmë pranë të shtypurve dhe refugjatëve në gjendjen e tyre të vështirë. Bëni Dashurinë, jo luftën”, ka shkruar Dukagjin Lipa në Instagram.

Të njëjtin postim në Instagram e ka publikuar edhe Dua Lipa. /21Media