Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje ka reaguar pasi që nga Beogradi kanë thënë se serbët e komunitetet tjera në Kosovë janë duke u rrezikuar pas vendosjes së billbordëve “Liria ka emër”. Por, deputetja Balaj është kundërpërgjigjur duke thënë se “për komunitetin boshnjak flasim ne në emër tonin e jo zyrtarë të Serbisë që as nuk jetojnë në Kosovë”.

“Reagim ndaj deklaratës së të ashtuquajturit drejtor i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë! Zyrtarit dhe zyrtarëve të Serbisë që kanë shprehur frikën nga jehona e banerve ” Liria ka emër” si deputete e parlamentit të Republikës së Kosovës dhe kryetare e partisë SDU ( Unioni social-demokratik) ju them që frikën e tyre mos ta ndërlidhen edhe me komunitetet tjera jo shqiptare në Kosovë. Për komunitetin boshnjak flasim ne në emër tonin e jo zyrtarë të Serbisë që as nuk jetojnë në Kosovë. Ne jemi për bashkëjetesë dhe rrugëtim së bashku me popullin shqiptar dhe komunitetet tjera në shtetin tonë. Liria është për të gjithë dhe si e tillë nuk duhet ti pengoj askujt përveç popujve që ja kanë frikën Lirisë!”, ka shkruar Duda Balje në Facebook.

Dje në mëngjes është djegur billbordi “Liria ka Emër” në komunën e Graçanicës, ndërsa policia deri më tani nuk ka dhënë detaje se kush mund ta ketë bërë. Djegia e billbordit ngjalli reagime të ndryshme edhe të themeluesit e platformës “Liria ka Emer”, sipas të cilëve ky veprim vjen nga Beogradi./21Media