Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli sot deklaroi se në kohën e privatizimit të Ferronikelit është kërcënuar nga PDK.

Ai në komisionin hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë tha se komuna e Drenasit ka bërë një fushatë kundër tij gjatë asaj kohe.

“Partia që e përfaqësoni ka qenë e zëshme në jetë drejtim dhe më është bërë presion deri në kërcënime lidhur me këtë ndërmarrje edhe pse asgjë nuk është lidhur me mua. Dikujt i ka penguar. Komuna e Drenasit që është udhëhequr nga PDK ka bërë një fushatë shumë kundër meje sa kam qenë ministër, duke më akuzuar se kam bërë marrëveshje me një kompani kundrejt një kompanie tjetër. Edhe deputetët kanë vazhduar avazin duke më sharë. I kemi sqaruar në Parlament. Po atyre iu vinte më lehtë të më shanin, ndërsa me ndërkombëtarë ishin shumë të urtë”, tha Dugolli.

Përkundër këtyre kërcënimeve, ai tha se në përurim kishte marrë pjesë edhe lideri i opozitës, Hashim Thaçi.

“Fabrika është lëshuar në punë dhe ka shprehur dëshirën që të vije në prerje të shiritit edhe lideri i opozitës Hashim Thaçi. Nuk ua bëj hallall zullumin politik që ma keni bërë. Interesi im ka qenë që një investitor i huaj me pas sukses në këtë drejtim dhe të hapen vende të reja pune. Unë për shkak të presioneve jam ankuar dhe kam thënë se nuk dua të merrem me këtë çështje. Nuk kam qenë unë personi i vetëm në këtë çështje. Kanë hy në hak padrejtë, sepse kurrë s’kam bërë asnjë veprim që ka ra ndesh me Kosovë. Ata kanë përdorur etiketime të ndryshme, unë nuk jam thyer as atëherë as kurrë. Ndoshta janë bërë nga koncepti i opozitarizmit”, tha ai.

Dugolli tha se si anëtar i bordit kishte votuar për privatizimin e Feronikelit.