Ka vdekur aktori i njohur kosovar, Adem Mikullovci. Familjen Mikullovci e ka ngushëlluar, ministrja e Kulturës dhe Rinisë, Vlora Dumoshi.

“Me pikëllim dhe me mërzi të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, krenarisë tonë artistike, aktorit, skenaristit e regjisorit tonë të madh, bacës Adem”, ka thënë Dumoshi.

Ne telegram ngushëllimi Dumoshi ka thënë se Adem Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg.

“Ndarja e bacës Adem nuk është humbje e rëndë dhe e dhimbshme vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës”, thuhet në telegram ngushëllimi.

Dumoshi ka theksuar se baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.

“Ai do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas, si një rrugë të shtruar fort për brezat që vijnë. Numri i roleve dhe veprave artistike e të papërsëritshme të bacës Adem do të mbesin xhevahire të çmuara dhe do të jenë gjurmë të skalitura e të pashlyera në botën e artit e të aktrimit. Me praninë e tij, ai e ka pasuruar dhe e ka bërë madhështore çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që i ka marrë mbi supe t’u japë shpirt. Me korpusin e roleve të tij në teatër, film e televizion, baca Adem ka tejkaluar çdo barrierë dhe pa dyshim ai konsiderohet krenaria dhe një prej ikonave të artit shqiptar”, thuhet tutje në telegram ngushëllimin e Dumoshit.

Sipas Dumoshit ndarja e Mikullovcit nuk është humbjevetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

“Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën dhe kontributin e tij të çmuar e të paçmim që ka dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Adem Mikullovcit”, thuhet në fund të telegramit.

Sot në orët e para të 15 shtatroit ka vdekur aktori i njohur kosovar, Adem Mikullovci.

Adem Mikullovci i lindur në vitin 1939 në Vushtrri, përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike. Mikullovci gjithashtu ka qenë delegat i Kuvendit i cili shpalli deklaratën Kushtetuese dhe të Pavarësisë nga viti 1990-1992; si dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e vitit 2017./21Media