Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi mëngjesin e sotëm ka vizituar komunën e Obiliqit. Ajo fillimisht është pritur nga kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi.

Pas takimit, Dumoshi është shprehur se është në Obiliqi për t’i parë nga afër investimet e MKRS-së si dhe te kësaj komunë në fushën e kulturës, trashëgimisë dhe sportit.

“MKRS gjithmonë siç kam thënë edhe më parë bashkëpunon shumë me komunat, me të gjitha komunat e Kosovës e në veçanti me Komunën e Obiliqit. Kemi pasur investime ku është bërë edhe shtëpia e kulturës. Sot jemi në hapjen e mullirit. Në pjesën e trashëgimisë do të fillojmë me një memorandum të cilin do ta kemi në pjesën e Dardhishtës ku do të fillojmë me punime dhe në pjesën sportive në Plemetin ne fushën e cila është paraparë”, tha Dumoshi.

Ndërkohë i pari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi e falënderoi ministren për vizitën si dhe për mbështetjen që ka nga kjo ministri.

“Ne e njoftuam së pari për çështjen e pandemisë në komunën tonë, zhvillimet e reja mirëpo edhe e falënderuam ministrinë shumë që në vazhdimësi, MKRS e ka mbështetur komunën tonë me projekte të ndryshme dhe po vazhdon edhe më tutje të na mbështesë. Qëllimi i vizitës është informativ”, tha Gashi.

Pas këtij takimi, Dumoshi së bashku me Gashin vizituan edhe Shtëpinë e Kulturës, Xhavit Haziri.

Dumoshi e cilësoi këtë si një ndër qendrat më të mira kulturore në Kosovë.

“Mund të them lirisht që është salla më e bukur në Kosovë. Është shumë me rëndësi sepse komunat kanë shumë aktivitete kulturore, ansamble të valles, qoftë të dramës, të kulturës. Kështu që qëllimi është për t’ju ofruar infrastrukturë, pra salla ku mund të operojnë dhe qytetarët ku munden të vijnë dhe me i pa shfaqjet ose koncertet e tyre”, tha Dumoshi.

Dumoshi së bashku me kryetarin e komunës së Obiliqt, Xhafer Gashi vizituan edhe objekte të tjera kulturore në këtë komunë./kp