Është regjistruar edhe rasti i dytë me Covid-19 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Pas deputetit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ismail Jahoskit, pozitiv me Covid-19 ka njoftuar se ka rezultuar edhe deputeti i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Llaze Tanevski.

Tanevski në profilin e tij në “Facebook” ka njoftuar se pozitiv është vetëm ai, ndërkohë që familjarët e tij kanë rezultuar negativë. Ai është shprehur se do ta respektojë masën e izolimit, për çfarë bën të ditur se nuk ka asnjë simptomë.

Ndërkohë, është njoftuar se janë mirë me shëndet edhe deputetët tjerë të BDI-së.

“Vonë u dëgjova me të. Ndihet mirë dhe pritet që këto ditë të kthehet në shtëpi dhe të vazhdojë me mjekimin dhe sigurisht, asnjë nga kolegët e tij, as nga ne nuk ka asnjë simptomë. Për çfarë do të duhej të brengosemi. Sërish, dua të apeloj deri te qytetarët, t’u përmbahen masave dhe t’i shmangen tubimeve dhe kontakteve të panevojshme”, ka deklaruar Artan Grubi nga BDI.

Por, për shkak të këtyre rasteve është porositur: Kuvendi të vazhdojë të punojë online.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe deklaroi se puna online ka qenë rekomandim i Komisionit për sëmundje ngjitëse dhe se rastet e fundit e nxitin nevojën që edhe Kuvendi të vazhdojë të punojë në atë formë, kjo me qëllim që të shmangen grupimet e deputetëve.

“Ai është rekomandim i yni që nga fillimi i krizës. Tash që mundet të punojë nga shtëpia dhe online, atë ta bëjë. Kjo vlen edhe për Kuvendin. Deputetët duhet të jenë të vetëdijshëm, se në këtë mënyrë e ruajnë shëndetin e tyre, nuk ka nevojë për grupime dhe për të ndërmarrë një rrezik të tillë. Ja edhe tash fola me një pjesë të deputetëve që ishin të pranishëm këtu dhe e rekomandova të njëjtën”, është shprehur Ministri i Shëndetësië, Venko Filipçe.

Të njëjtën e ka rekomanduar edhe Grubi dhe kryeministri Zoran Zaev, duke marrë për krahasim Qeverinë, e cila, siç është njoftuar, pasnesër do të mbajë seancë nëpërmjet aplikacionit ZOOM. Por, opozita edhe më tej kundërshton idenë që Kuvendi të punojë online, pasi siç kanë vlerësuar, është anti-kushtetuese. Kryeministri Zaev, i vendosur, opozita dhe shumica duhet të gjejnë zgjidhje.

“Pushteti dhe opozita duhet të ulen dhe të punojnë për Kuvend online”, është shprehur Zoran Zaev.

Ndërkaq, se sa deputetë do të shkojnë në izolim, ende nuk dihet, pasi ende po punohet në anketën epidemiologjike. Paraprakisht pozitiv me Covid-19 ka rezultuar edhe një deputet tjetër, Arben Ziberi, i cili po ashtu ka përfunduar në Klinikën Infektive, raporton TV21./21Media