Këtë të shtunën kanë ndodhur dy grabitje në institucione financiare për transfere ndërkombëtare të parave në Prishtinë. Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Rasti i parë ka ndodhur në orën 10:30 në filialin e një institucioni financiar në kryqëzimin e rrugëve “Edmond Hoxha” dhe “Hajrullah Abdullahu” në Prishtinë.

“Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga një person i cili po ashtu dyshohet të ketë qenë i armatosur”, ka thënë Borovci.

Rasti i dytë ka ndodhur rreth orës 10:40 në filialin e një institucioni financiar për transferta ndërkombëtare në kryqëzimin e rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë.

“Policia ka dalë në vendngjarje dhe nga informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga një person”, ka thënë tutje zëdhënësi i policisë.

Policia ka filluar hetimet bashkë me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim ndriçimin e rasteve.

Dje një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos me armë zjarri nga disa persona që po tentonin të grabisnin para nga një bankomat në lagjen Veternik, në Prishtinë./21Media