Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandemi

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandemi

Dy raste të reja me koronavirus në Maqedoni. Më këtë numri i të infektuarve ka shkuar në gjithsej 9. Dy personat e infektuar nga Covid19 janë nga Dibra, fqinj të personave të infektuar më parë, që janë në karantinë. Me të njëjtit ata kanë pasur kontakte të shpeshta, ndërsa familjarët e tyre janë në mjekim shtëpiak.

“Të ju informoj se nga të gjithë 12 pacientët e testuar dy kanë dal pozitiv ndaj koronavirusit. Janë dy nga Dibra që kanë qenë në kontakt me tre të hospitalizuarit tashmë, kanë qenë fqinj kanë pasur kontakte të shpeshta. Të gjithë familjarët e tjerë të tyre që jetojnë me ta janë negative, por do të vazhdojnë të jenë në izolim dhe mjekim shtëpiak. Gjendja e tyre shëndetësore lejon qetë jenë në mjekim shtëpiak dhe mos të hospitalizohen”, deklaroi ministri i shëndetësisë i Maqedonisë, Venko Filipçe.

Koronavirusi prej sot ka mbyllur institucionet arsimore, shkollat, ­çerdhet, universitetet, bibliotekat, konviktet si dhe Qendrat ditore për fëmijë me nevoja të veçanta, me çka janë të liruar nga puna edhe të punësuarit në këto institucione për dy javë me radhë.

Nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë informojnë se nga kjo masë janë të përjashtuar, MPB, MSH, Ministria e Mbrojtjes, Zjarrfikësit, Dogana, Ushtria, Shtëpitë e pleqve dhe shtëpitë në grupe. Ato vetëm do t’i përmbahen masave dhe rekomandimeve të Qeverisë.

Ministri Filipçe tha se personat që shpërndajnë dezinformata për koronavirusin dhe mediat që shpallin lajme të pavërteta do të përgjigjen para MPB-së.

“MPB obligohet që gjatë ditës të shpall kumtesë ku do të qëndrojë se do të ndërmerren masa adekuate për të gjithë personat që në rrjetet sociale te cilët shpërndajnë dezinformata apo të pavërteta dhe mediat të cilat informatat e njëjta i plasojnë”, tha Filipçe.

Ndryshe në Maqedoni 9 të prekurit nga koronavirusi janë në karantinë në Klinikën infektive, në gjendje stabile. E infektuara e para është shëruar dhe pritet që këtyre ditëve të lëshohet në mjekim shtëpiak. Ndryshe Organizata Botërore e Shëndetësisë sot ka shpallur pandemi të koronavirusit./TV21