Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në diskutimin e sotëm të bërë në Forumin për Siguri në Beograd tha se Kosova ka treguar përkushtim të madh për procesin e dialogut dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë deri në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe paqësore. Kryeministri i Kosovës në fjalën e tij, duke përmendur njohjen reciproke, tha se “politika rajonale janë të mundshme kur punojmë së bashku, kur njohim njëri-tjetrin, kur jemi të përkushtuar për një dialog konstruktiv për të gjitha çështjet dhe për të punuar për të drejtat e minoriteteve”. Tutje kryeministri tha se Kosova ka dhënë shenja të qarta se ka kontribuar dhe vazhdon të jetë kontribuues i sigurisë në rajon. Sipas Hotit, qëllimi i shteteve të rajonit duhet të mbetet integrimi në Bashkimin Evropian dhe në zonën euroatlantike.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në diskutimin e sotëm të bërë në Forumin për Siguri në Beograd është nxehur pasi që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në mënyrë të përsëritur i është referuar Republikës së Kosovës si shtet.

Vuçiq nga Hoti ka kërkuar që të mos e përdorë më shprehjen “Kosova dhe Serbia janë dy shtete”. “Hoti theksoi disa herë:  dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete në këtë takim por edhe në takimet tjera. I them të mos e përdorë këtë mijëra herë. Nëse do afrim mes nesh mos e thuaj këtë gjithmonë. Ne e dimë çfarë mendon”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Sipas Vuçiqit nuk ka dy shtete, ka një shtet që është anëtar i OKB-së. “Dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete… Nuk ka dy shtete, ka një shtet që është anëtar i OKB-së në akordancë me Rezolutën 1244”, ka thënë Vuçiqi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, duhet të angazhohen të gjithë për arritjen e një zgjidhje kompromisi, që do të thotë, se nëse është e nevojshme, për të zgjidhur këtë problem duhet të bëhen shumë gjëra jashtë kornizës.

Ndërsa, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënievenuk është i lehtë dhe se zgjidhja do të jetë një “kompromis i dhimbshëm”. Ndërkaq, Ryan Tully nga Këshilli për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara tha se SHBA-ja do të vazhdojnë ta mbështesin rajonin e Ballkanit Perëndimor./21Media